Lidhje

Clinton: Marrëveshja me Serbinë do të shtojë njohjet e shtetit të Kosovës


Clinton: Marrëveshja me Serbinë do të shtojë njohjet e shtetit të Kosovës
Clinton: Marrëveshja me Serbinë do të shtojë njohjet e shtetit të Kosovës

Në një intervistë ekskluzive për shërbimin shqip të Zërit të Amerikës, Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton tha se marrëveshja e arritur të premten në Bruksel në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë do ta çojë popullin e Kosovës më afër integrimit evropian. Zonja Clinton i bëri komentet me telefon nga Tunizia ku ajo ndodhet për vizitë.

Zëri i Amerikës: Zonja Sekretare, cila është rëndësia e dy marrëveshjeve të arritura sot në Bruksel?

Sekretarja Clinton: Në fillim dua të them se sa të angazhuara janë Shtetet e Bashkuara ndaj forcimit të Kosovës dhe partneritetit të qëndrueshëm me ne. Dhe ne jemi të angazhuar plotësisht për pavarësinë e saj, integritetin e saj territorial, sovranitetin e saj. Unë përgëzoj qeverinë e kryeministrit Thaçi, për qëndrimin e saj konstruktiv dhe punën e madhe në dialogun me Serbinë të ndërmjetësuar nga BE-ja. Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur këtë proces që nga fillimi, dhe ne e dimë se kjo është një zgjedhje e vështirë politike, por ajo do ta çojë popullin e Kosovës më afër integrimit evropian. Ne mendojmë se ajo është në interes të të gjithë kosovarëve.

Zëri i Amerikës: Zonja Sekretare, ka pasur shqetësime – të cilat ende vazhdojnë në Kosovë - se marrëveshja për përfaqësimin e Kosovës me një shënim që i referohet Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit mund të rrezikonte arritjet e deritanishme, pavarësinë dhe integritetin territorial. Cili është mendimi juaj?

Sekretarja Clinton: Nuk jam dakord me këtë. Në fakt mendoj se kjo do të ndihmojë në rritjen e numrit të vendeve që tashmë e njohin Republikën e Kosovës, sepse ajo do të hiqte justifikimin se nuk është bërë përparim në mes të Kosovës dhe Serbisë. Shtetet e Bashkuara dhe 85 vende të tjera që tashmë e njohin pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, do të kenë në fakt një argument më të fortë, se ndërkohë që Kosova ecën drejt integrimit evropian, ne i hedhim sytë drejt së ardhmes. Dhe, mos harroni ju lutem se Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit, në fakt, hapi rrugën për pavarësinë e Kosovës. Ajo i kërkoi Serbisë të heqë forcat e sigurisë. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shqyrtoi me kujdes 1244-ën, dhe tërë bota e di përfundimin - me të cilin ne jemi plotësisht dakord - se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e shkel Rezolutën 1244. Kështu që unë në fakt mendoj se ky është një vendim shumë i zgjuar dhe shumë i guximshëm nga ana e qeverisë, sepse ai do ta çojë Kosovën më afër Evropës, dhe kjo do të rrisë numrin e vendeve që do ta njohin atë.

Zëri i Amerikës: Por zonja Sekretare, a mendoni se ekziston nevoja e disa masave mbrojtëse ndaj kushteve që Serbia mund të vërë në të ardhmen për të mos e lejuar Kosovën të anëtarësohet në Bashkimin Evropian? Sepse ky është një shqetësim i madh sot në Kosovë.

Sekretarja Clinton: Unë mendoj se Kosova është më afër anëtarësimit në Bashkimin Evropian duke bërë këtë, se sa po të mos e kishte bërë, sepse kjo përmban në një masë të madhe njohjen nga ana e Bashkimit Evropian se Kosova do të ecë drejt anëtarësimit, çka nuk ishte e mundur në të kaluarën, sepse, janë pesë vende evropiane që nuk e njohin Kosovën. Dhe Shtetet e Bashkuara besojnë se zhvillimi i sotëm i ka avancuar në mënyrë të konsiderueshme aspiratat evropiane të Kosovës. Dhe kjo e forcon më tej statusin e saj si vend i pavarur. Kosova tani do të ulet në tryezë si një partnere e barabartë dhe do të mund të flasë me zërin e saj. Kështu që unë mendoj se në këtë marrëveshje ka shumë avantazhe pozitive për Kosovën dhe unë jam shumë e inkurajuar.

Zëri i Amerikës: Por pikërisht këto pesë shtete evropiane të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, që ju sapo përmendët.. A është ky një shqetësim për ju?

Sekretarja Clinton: Natyrisht që është shqetësim. Ne duam që çdo vend ta njohë Kosovën. Por ne gjithashtu e dimë se kjo do të kërkojë kohë. Ne kemi bërë përparim të qëndrueshëm, të cilin do ta vazhdojmë. Por unë besoj se duke qenë në gjendje Kosova të ulet në tryezë me këto vende, të marrë pjesë në ngjarjet dhe forumet rajonale, kjo i rrit gjasat për njohje. Unë jam entuziaste për përparimin që po bën Kosova dhe shumë e kënaqur që ky vendim i rëndësishëm politik do të çojë Kosovën më afër integrimit evropian. Unë i inkurajoj qytetarët e Kosovës për ta mbështetur vendimin, ta mbështesin përparimin që është duke u bërë. Ky vendim vjen menjëherë pas festimit të përvjetorit të katërt të Kosovës si shtet i pavarur. Dhe unë mezi pres të vazhdoj të punoj me qeverinë dhe popullin e Kosovës për gjëra edhe më të mira në të ardhmen.

Zëri i Amerikës: Zonja Sekretare, ju falemnderit dhe ju falemnderit për kohën që na dhatë.

Sekretarja Clinton: Ju falemnderit.

Më pas në një konference shtypi po në Tunizi, sekretarja amerikane e Shtetit tha se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë është një lajm shumë i mirë nga një konflikt i vjetër që është duke u zgjidhur me kalimin e kohës mes tyre.

Zonja Klinton tha se i kujtonte mjaft mirë spastrimin etnik, dhunën, bombardimet dhe ngjarjet e tmershme të asaj kohe. Sekretarja e Shtetit falenderoi Bashkimin Evropian për afrimin e të dy vendeve, pasi kështu Kosova mund të jetë partnere e barabartë në kuadrin shumëpalësh rajonal, duke shkuar në këtë mënyrë drejt integrimit Evropian.

Po ashtu edhe Serbia mund të ketë shansin të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. Përparimi i Serbisë drejt integrimit evropian, tha sekretarja amerikane e Shtetit është pozitiv për Serbinë, është pozitiv për Kosovën, madje është pozitiv për të ardhmen e gjithë rajonit.

XS
SM
MD
LG