Lidhje

Sekretarja Clinton i jep fund vizitës në Egjipt


Zonja Clinton ofroi ndihmën amerikane për ekonominë egjiptiane në vështirësi

Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton, i dhe fund dy ditë bisedimesh me udhëheqësit civilë dhe ushtarakë të Egjiptit, që kanë shumë mosmarrëveshje mes tyre. Zonja Clinton ofroi ndihmën amerikane për ekonominë egjiptiane në vështirësi, pa mbajtur publikisht anë ndaj palëve në luftën e tyre për pushtet.

Një zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit tha se zonja Clinton diskutoi sot me marshallin Mohamad Hussein Tantawi kryetari i këshillit suprem të forcave të armatosura dhe udhëheqësi i përkohshëm i vendit pas përmbysjes së presidentit Hosni Mubarak, lidhur me propozimet amerikane për ndihmë ndaj Egjiptit. Zonja Clinton është takuar edhe me përfaqësues të shoqërisë civile, të grave, pakicave fetare dhe të biznesit. Ata kanë diskutuar mbi një sërë çështjesh, si tranzicioni politik i Egjiptit, rëndësia e mbrojtjes së të drejtave të të gjithë egjiptianëve dhe qëndrueshmërinë rajonale.

Dje zonja Clinton u takua me presidentin e ri Mohamed Morsi, të cilit i ka ritheksuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për tranzicionin politik në Egjipt. Pas takimit të djeshëm, zonja Klinton tha se Shtetet e Bashkuara duan të ndihmojnë, por i përket popullit egjiptian të vendosë se si do të zhvillohet tranzicioni.

Sekretarja Klinton njoftoi gjithashtu një fond prej 60 milionë dollarësh për të ndihmuar bizneset e vogla dhe të mesme dhe një hua të garantuar prej 250 milionë dollarësh për sektorin privat. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Scot Sterans, i cili ka shkuar me grupin e gazetarëve që shoqërojnë zonjën Clinton, tha se ndihma amerikane për borxhin përbën një pjesë të rëndësishme të paketës amerikane të ndihmave.
XS
SM
MD
LG