Lidhje

Afron vlerësimi i BE-së për statusin kandidat të Shqipërisë


Komisioni Europian dhe qeveria shqiptare pritet të analizojnë arritjet e reformave në një tryezë dialogu të nivelit të lartë javën e ardhshme. Komisioni Europian do të nxjerrë në qershor një raport për ecurinë e reformave shqiptare gjatë këtyre 6 muajve, së bashku me një vendim të vendeve anëtare mbi statusin e vendit kandidat. Qeveria shqiptare miratoi këtë javë planin kombëtar për integrimin europian me 5 detyra për forcimin e drejtësisë, luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, mbrojtjen e të drejtave njerëzore, reformat në administratë dhe të drejtën e pronës. Përfaqësuesi i Bashkimit Europian, Clive Rumbold, i Ngarkuar me Punë i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, tha se plani ishte ambicioz dhe pritet zbatimi i tij.
Afron vendimi për statusin
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:31 0:00

“Vendet anëtare të BE dhe Shqipëria janë të vetëdijshme se këto sfida mbeten afatgjata, por po shqyrtojnë hapa dhe veprime afatshkurtra, në mënyrë që të përmbushet kërkesa kryesore e qytetarëve për forcimin e shtetit ligjor - tha zoti Rumbold. - Këto përpjekje të vazhdojnë dhe të sjellin rezultate në praktikë. Marrja e statusit të vendit kandidat nuk është fundi i procesit, por është vetëm fillimi i një rruge të gjatë përpara me hapjen e bisedimeve për asociimin. Qëndrimi i BE është përcaktuar në kriteret e Kopenhagës” - tha ai në një konferencë të posacme mbi integrimin e Shqipërisë.

Sipas tij, thelbi i këtyre kritereve nuk është që të bëhen ligjet, por ato të zbatohen, të janë të lidhura të gjitha me njëra tjetrën. “Ekonomia e tregut garantohet kur shteti ligjor godet monopolet dhe korrupsionin, liritë njerëzore nuk mbrohen pa administratë profesionale dhe pa gjykata të pavarura. Qytetarët shqiptarë duhet të ndjejnë në këtë mënyrë përfitimet nga zbatimi i këtyre rregullave europiane, të cilat do t'ua përmirësojnë jetën atyre. Plani kombëtar për integrim në BE i sheh të lidhura tre kritere të Kopenhagës, kriterin ekonomik, atë ligjor dhe kriterin politik. Pra nuk është cështja që të përkthehen disa ligje europiane, por ligjet kombëtare të përshtaten me ato europiane dhe pastaj të zbatohen sa më mirë” - tha Clive Rumbold, i Ngarkuar me Punë, Delegacioni i BE-së në Shqipëri.

Ndërsa kryeministri Edi Rama, tha se Shqipëria e meriton statusin e vendit kandidat, sepse po përpiqet të zbatojë ligjet dhe reformat europiane. Ai tha se Shqipëria, Bashkimi Europian dhe Ballkani kanë nevojë për njëri tjetrin. “Shqipëria e meriton statusin e kandidatit. Nuk diskutohet kjo. Sa ç’ka nevojë Shqipëria për Bashkimin Europian, ka nevojë Bashkimi Europian për Shqipërinë; sa ç’ka nevojë Ballkani për Bashkimin Europian, ka nevojë Bashkimi Europian për Ballkanin. Të mos e harrojmë për asnjë moment se të gjitha sfidat që sot kanë sjellë rritjen e disa forcave të padëshiruara në Bashkimin Europan janë sfida që përballohen më mirë së bashku sesa veç e veç. Në radhë të parë sfida e sigurisë, sfida në luftën kundër krimit të organizuar” - tha zoti Rama.

Zoti Rama tha se Bashkimi Europian duhet të kujdeset dhe bashkëpunojë me të gjithë rajonin, për një zhvillim harmonik të ekonomisë dhe demokracisë së gjithsecilit vend. “Me një Ballkan aty tek dera, me derën mbyllur, Bashkimi Europian është shumë më pak i sigurt. Ashtu sikundër, me të drejtë, Bashkimi Europian i dha Serbisë hapjen e negociatave, duhet t’i japë Shqipërisë statusin e kandidatit, duhet t’i japë Kosovës lirinë për të lëvizur. Se edhe ky është një absurd më vete, se lëviznin dje kur ishin në diktaturë dhe shkonin ku të donin, tani që janë të pavarur duhet të rrinë brenda se nuk kanë viza” - tha ai.

Vendet anëtare të Bashkimit Europian kërkuan në muajin dhjetor më shumë kohë për të gjykuar mbi ecurinë e reformave në Shqipëri, sidomos forcimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Vendet anëtare pritet të vlerësojnë përsëri këto ditë kërkesën e Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat.

XS
SM
MD
LG