Lidhje

CNN shkarkon gazetarin Chris Cuomo pasi ndihmoi të vëllanë, Andrew Cuomo


Rrjeti televiziv CNN, shkarkoi të shtunën gazetarin Chris Cuomo, pasi dolën në dritë hollësi të reja se ai ndihmoi të vëllanë, ish-guvernatorin e Nju Jorkut, Andrew Cuomo, teksa politikani u përball me akuza për ngacmim seksual.

Rrjeti pezulloi zotin Cuomo në fillim të javës për të hetuar sjelljen e tij, pasi prokurorja e përgjithshme e Nju Jorkut, publikoi dokumente që tregonin se ai ishte më i përfshirë se sa dihej më parë në ndihmën për të hartuar strategji dhe për të kontaktuar gazetarët e tjerë, ndërsa i vëllai luftonte për të mbajtur punën e tij.

Rrjeti CNN angazhoi një kompani ligjore për shqyrtimin e situatës e cila rekomandoi shkarkimin e zotit Cuomo dhe shefi i CNN-it, Jeff Zucker, informoi gazetarin të shtunën për këtë vendim.

Rrjeti tha se "ndërsa zhvillohej procesi i vlerësimit, informacion shtesë doli në dritë”. CNN nuk do të diskutojë informacionin apo të përcaktojë nëse kishte ndonjë lidhje me vëllanë e tij.

“Është e vetëkuptueshme që këto vendime nuk janë të lehta dhe ka shumë faktorë kompleksë të përfshirë”, tha zoti Zucker në një email drejtuar personelit të rrjetit CNN të shtunën.

Zoti Cuomo postoi një deklaratë në Twitter duke e quajtur vendimin zhgënjyes.

“Kjo nuk është mënyra si do të doja të përfundonte koha ime në CNN, por ju kam thënë tashmë pse dhe si e ndihmova vëllanë tim. Pra, më lejoni të them tani, sado zhgënjyese të jetë kjo, nuk mund të jem më krenar për ekipin në ‘Cuomo Prime Time’ dhe punën që bëmë si emisioni numër 1 i CNN-it në kohën më konkurruese”, shkroi ai.

Gazetari i CNN-it kishte kërkuar informacion nga disa burime mbi akuzueset e vëllait të tij dhe ia kishte kaluar informacionin personelit të guvernatorit, si dhe kishte qenë aktiv në hartimin e përgjigjeve ndaj akuzave, sipas emaileve dhe një transkripti të dëshmisë së tij përpara hetuesve që punojnë për Prokuroren e Përgjithshme të shtetit, Letitia James. Zyra e saj gjeti se Andrew Cuomo ka ngacmuar seksualisht të paktën 11 gra.

Chris Cuomo më parë pranoi se kishte folur me vëllanë e tij dhe i kishte ofruar këshilla kur guvernatori u përball me akuza për ngacmim. Por, më shumë hollësi kanë dalë në dritë rreth kësaj ndihme. Andrew Cuomo dha dorëheqjen në muajin gusht për të shmangur një gjyq të mundshëm për shkarkimin e tij.

XS
SM
MD
LG