Lidhje

Michael Cohen kthehet në Kongres javën e ardhshme


Ish-avokati i Presidentit Donald Trump, Michael Cohen, që u intervistua të enjten me dyer të mbyllura nga Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin, do të kthehet në Kongres të mërkurën e ardhshme për të të përfunduar me dëshminë e tij.

Kryetari i Komisionit, demokrati nga Kalifornia Adam Schiff tha se edhe biznesmeni rus, Felix Sater, që kishte punuar me projektin për një Kullë Trump në Moskë me zotin Cohen, do të dëshmojë.

Zoti Schiff tha se seanca me dyer të mbyllura me zotin Cohen ishte produktive.

"Jemi shumë mirënjohës që ai ishte aq i hapur. Ne e paralajmëruam zotin Cohen që të na thoshte të vërtetën, të gjithë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën. Dhe asnjë nga pyetjet që i bëmë, nuk mbeti pa përgjigje”, tha ai.

Zoti Cohen dukej në humor të mirë, pas seancës.

“Nuk kam shumë për të thënë përveçse që ishte shumë produktiv. Siç thashë, unë jam i përkushtuar të them të vërtetën dhe do të kthehem më 6 mars, që të mbaroj. Ka akoma gjëra për të diskutuar”.
Zhvillimet e së enjtes, vijnë pas dëshmisë publike të zotit Cohen një ditë më herët, kur ai e quajti ish-shefin e tij, “racist, mashtrues dhe gënjeshtar”.

Presidenti Trump reagoi, duke thënë në kanalin Fox News, se dëshmia e zotit Cohen ishte një “demonstrim i tmerrshëm pandershmërie”.

Zoti Cohen pranoi vitin e kaluar fajësinë për tetë akuza kriminale, përfshirë shkelje të ligjeve për financimin e fushatave në lidhje me pagesat për aktoren e filmave pornografikë, Stormy Daniels dhe ish-modelen e revistës Playboy, Karen McDougal. Të dyja ato thonë se kanë patur marrëdhënie me zotin Trump. Ai i ka mohuar akuzat.

Zoti Cohen pranoi gjithashtu fajësinë për një akuzë sipas së cilës kishte gënjyer Kongresin lidhur me përpjekjet e organizatës Trump për të negociuar një marrëveshje për të ndërtuar një kullë Trump në Moskë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG