Lidhje

Çështja gjyqësore e aktorit Bill Cosby


Një gjykatës në Shtetet e Bashkuara ka urdhëruar që aktori i njohur i filmave televizivë dhe kinematografikë, Bill Cosby, të përballet me akuzat për drogimin dhe ngacmimin seksual të një ish punonjëseje së Universitetit Temple në shtëpinë e tij, në vitin 2004. Dhjetra gra të tjera kanë thënë se Cosby i ka sulmuar ato seksualisht, duke filluar që në vitet 1960, kur ai u bë yll i komedive, por vetëm një prej këtyre raseve u cilësua si një rast që bie ndesh me ligjin.

Të martën Bill Cosby u shfaq në gjykatën e qytezës Norristown, në Pensilvani, për një seancë dëgjimore fillestare të një çështjeje kriminale, pasi një gjykatës i hodhi poshtë përpjekjet e tij për ta shtyrë seancën. Personi që e akuzon, Andrea Constand, nuk ishte e pranishme. Sipas raportit të policisë që u lexua në gjykatë, Cosby i kishte dhënë zonjës Constand verë dhe ilaçe, që e patën bërë atë të ndjehet e trullosur dhe e dobët, pra e paaftë për ta kundërshtuar, kur ai thuhet se e sulmoi atë seksualisht. Përpjekja e avokatit mbrojtës të Cosby-t për ta ndaluar procesin, duke cituar mungesën e fakteve, dështoi.

"Një seancë dëgjimore paraprake zhvillohet vetëm kur duhet të tregojmë se është kryer një krim dhe se i pandehuri ka lidhje me krimin. Ne e bëmë këtë duke u nisur nga deklarata e viktimës dhe pranimit nga i pandehuri të shumicës së krimit. Për pasojë, ne do ta vazhdojmë procesin dhe do të caktojmë një datë për gjyqin.”

Shumë gra që e kanë akuzuar Cosby-n për sulm seksual nuk mund të ngrinin akuza ndaj tij, për shkak të kohës së gjatë që ka kaluar, por ato kanë folur me shtypin. Një jurist që përfaqëson 30 viktima të tjera të mundshme ishin të pranishme në seancën që u zhvillua në Pensilvani.

"Unë mendoj se ky ishte vendimi i drejtë bazuar tek ligji dhe tek faktet e dhëna.” – tha avokatja e tyre.

Në se shpallet fajtor, Cosby mund të dënohet deri me 10 vjet burg dhe me një gjobë prej 250 mijë dollarësh. Komediani përballet edhe me procese të tjera civile në lidhje me akuza të ngjashme në shtete të tjera amerikane. Ai thotë se marrëdhëniet seksuale me akuzueset e tij janë kanë qenë konsensuale. Por Andrea Constand dhe shumë gra të tjera thonë se ai i ka ofruar atyre pije alkoolike, ose drogë, para se t’i ngacmonte seksualisht.

"Sipas ligjit, në se një viktimë bëhet e paaftë dhe e pandërgjegjshme, ose ka qenë e ndërgjegjshme, e kanë bërë të pandërgjegjshme dhe pastaj e ka rifituar ndërgjegjen, ajo nuk është më e aftë të japë pëlqim për një veprim. Kjo çështje ka për të qenë në qendër të gjyqit, në se viktima ka qenë e aftë të japë pëlqimin e saj,” – tha avokatja Allred.

Nuk është caktuar ende data për fillimin e gjyqit, Aktori i njohur në mbarë botën aktualisht është liruar me kusht, kundrejt një pagese prej 1 milion dollarë.

XS
SM
MD
LG