Lidhje

COVID-19 mban larg nga qendrat e votimit vullnetarët e moshuar


Shishet e dezinfektantëve duken në një tavolinë pranë punonjësve zgjedhorë në bashkinë Butler

Disa amerikanë të moshuar, që zakonisht dalin vullnetarë për të punuar në qendrat e votimeve, thonë se do të qëndrojnë në shtëpi si rezultat i rrezikut nga koronavirusi. Të moshuarit janë në pjesën më të rrezikuar të popullatës nga koronavirusi dhe kjo ka gjasa që të ketë një ndikim në zgjedhjet e nëntorit. Ndikimi mund të mos jetë vetëm mbi pjesëmarrjen në votime, por gjithashtu edhe tek qendrat e votimit, sepse ato varen nga punonjës vullnetarë. Më shumë hollësi sjell korrespondentja e Zërit të Amerikës Valentina Vasilyeva.

65-vjeçarja Elizabeth Slanda nga Arlingtoni në shtetin Virxhinia, ka dalë vullnetare për tre dekada me radhë në qendrat e votimit. Për të kjo është një traditë familjare pasi edhe nëna e saj ka ndihmuar në qendrat e votimit.

E dalë në pension në vitin 2011, zonja Slanta po priste me padurim për të kontribuar në zgjedhjet e nëntorit, por ajo rezultoi pozitive me koronavirus në muajin mars.

“Më 14 mars u testova pozitive për koronavirus. I vetmi kontakt i vërtetë që më erdhi në mendje ishte me njerëzit në qendrën e votimit, sepse punova në zonën time afër vendit ku jetoj”, thotë ajo.

Virusi e goditi atë rëndë. Për tre javë të gjata, ajo ishte në shtëpi duke luftuar me ethet. Ajo ende vuan nga efektet e virusit. Asaj ende nuk i është rikthyer nuhatja dhe i kanë rënë flokët.

Së fundmi ajo vendosi që derisa të marrë fund pandemia, ajo nuk do të dalë vullnetare në votime.

“I dërgova një email përgjegjësit në zonën time, bashkëshortja e të cilit ka probleme imuniteti dhe me ta jeton edhe vjehrra, dhe i thashë se nuk mund të dal vullnetare në zgjedhjet që vijnë. Ai mu përgjigj se as ai nuk do të punonte si rezultat i situatës”, thotë ajo

Kur zonja Slanta punoi në qendrën e votimit për zgjedhjet paraprake në mars, atëherë ende nuk ishin vendosur masa të rrepta mbrojtëse. Maskat e fytyrës në ambjentet e brendshme nuk ishin të detyrueshme dhe distancimi fizik nuk u mor seriozisht.

Por situata ka ndryshuar, thotë një tjetër punonjëse e qendrës së votimit. Emily Landsman thotë se ka në plan të dalë vullnetare për zgjedhjet e nëntorit.

“Konteja na ka pajisur me maska dhe mburoja për fytyrën. Ata kanë vënë barriera të tejdukshme mes punonjësve të qendrës dhe votuesve”, thotë ajo.

Megjithatë ajo thotë se është e shqetësuar. Ajo është vullnetare në qendrën më të madhe të votimit në Arlington, ku janë regjistruar 6 mijë votues. Por ajo është e vendosur të bëjë detyrën e saj, sepse në fund të fundit, thotë ajo, dikush duhet ta bëjë këtë punë.

Sipas të dhënave nga Komisioni për Asistencën e Zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara, në vitin 2018 rreth 58 përqind e punonjësve në qendrat e votimit ishin të moshës mbi 60-vjeçare. Kjo grupmoshë është më e rrezikuara nga koronavirusi.


Nëse zyrtarët lokalë të zgjedhjeve nuk gjejnë vullnetarë të rinj, zgjedhjet e nëntorit mund të jenë të ndërlikuara, thotë Ryan Pierannunzi me Qendrën për Zgjedhje të Drejta.

“ Në vitin 2016, sipas Komisionit të Asistencës Zgjedhore, u deshën 900 mijë punonjës në qendrat e votimit për të zhvilluar zgjedhjet në mbarë vendin. Një pjesë e konsiderueshme e tyre ishin mbi moshën 60-vjeçare. E dimë se qindra mijëra amerikanë të moshuar shërbyen në qendrat e votimit në të kaluarën, dhe nuk e dimë se sa prej tyre do të shërbejnë gjatë zgjedhjeve të nëntorit”, thotë ai.

Një përpjekje po bëhet për të tërhequr studentët që të dalin vullnetarë në qendrat e votimit. Ekspertët thonë se nuk është aq e thjeshtë për të bindur të rinjtë. Puna në qendrat e votimit kërkon zakonisht 12 orë shërbim dhe ka shumë përgjegjësi dhe stres.

Qendrat e votimit i paguajnë punonjësit. Kompensimi varet nga një shtet në tjetrin dhe shkon nga 14-15 dollarë në orë. Kjo mund të shërbejë si nxitje për disa studentë të papunë, besojnë drejtuesit. Por, pyetja qëndron nëse do të ketë vullnetarë të mjaftueshëm për qendrat e votimit në zgjedhjet e nëntorit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG