Lidhje

COVID-19, në vështirësi fondet e pensioneve në Evropë dhe godinat tregtare


Komisioneri Evropian për Eknominë, Paolo Gentiloni, duke paraqitur për mediat parashikimin ekonomik të verës 2020
Komisioneri Evropian për Eknominë, Paolo Gentiloni, duke paraqitur për mediat parashikimin ekonomik të verës 2020

LONDËR - Kompanitë që kanë në pronësi godinat tregtare në mbarë Evropën, po përgatiten për pasoja afatgjata nga koronavirusi. Megjithëse thonë se zyrat do të vazhdojnë të jenë të rëndësishme pas pandemisë, drejtuesit e korporatave kanë filluar të rishikojnë nevojat e tyre për hapësira zyrash dhe shumë punonjës thonë se do të preferonin të vazhdonin punën nga shtëpia.

Pandemia mund të ketë filluar një revolucion në praktikat e punës. Kjo mund të krijojë probleme, thonë ekonomistët, për fondet e pensioneve, të cilat kanë miliarda dollarë të investuara në prona komerciale që përpara pandemisë shiheshin si investime të sigurta afatgjata.

Ekspertët e pronave në Londër thonë se kërkesa për hapësira zyrash në disktriktin financiar të kryeqytetit britanik do të bjerë ndjeshëm. Ata parashikojnë se drejtuesit e korporatave do t'u largohen rrokaqiejve, duke preferuar marrjen me qera të godinave të veçuara për stafin e tyre, të cilat mund të menaxhohen më lehtë gjatë krizave të shëndetit publik.

Fundi i godinave shumëkatëshe?

Shefi ekzekutiv i Bankës Barclays, Jes Staley, thotë se do të ketë një prirje të veçantë për t'iu larguar rrokaqiejve. Ai i tha BBC-së se, "Unë mendoj se nocioni i vendosjes së 7'000 njerëzve në një ndërtesë mund të jetë një gjë e së kaluarës, dhe ne do të gjejmë mënyra për të operuar me më shumë distanca gjatë një periudhe shumë më të gjatë kohore". Banka Barclays tashmë po eksploron lëvizjen jashtë ndërtesave të mëdha dhe duke përdorur degët e shitjes me pakicë si qendra pune për punonjësit e tyre të menaxhimit dhe për bankierët e investimeve për të zhvilluar takimet në person.

Kulla "Shard" duket në sfodin e Londrës, mbi lumin Tamiz
Kulla "Shard" duket në sfodin e Londrës, mbi lumin Tamiz

Konsulenti i pronave Toni Lorenz thotë se ndryshimet në praktikat e punës do të arrijnë në ndryshimin më rrënjësor për tregun e pasurive tregtare gjatë këtij gjysëm shekulli.

Ai dhe konsulentët e tjerë të pronave parashikojnë se bizneset në Britani do të zbulojnë se ata kanë shumë më tepër hapësira zyrash sesa iu duhen. Dhe ata thonë se bordet e korporatave po pyesin pse duhet të kenë staf që punojnë nga ndërtesat e shtrenjta kur punonjësit e tyre kanë treguar se mund të punojnë në mënyrë produktive nga shtëpia duke eksploruar potencialin e plotë të teknologjisë. "Unë po parashikoj të paktën 20 për qind deri në 30 për qind rënie të qerave për zyrat", u tha zoti Lorenz gazetarëve në Londër.

Qera të papaguara

Në periudhën më afatshkurtër, pronarët e godinave tregtare kanë pësuar tashmë humbje të mëdha për shkak të masave të izolimit dhe të qeramarrësve që nuk kanë mundësi të paguajnë qeratë e tyre. "Nëse shikoni tregun e investimeve, investitorët nuk kanë siguri se qeramarrësit do të mbijetojnë. Edhe qeramarrësit më të fortë po vështirësohen të paguajnë qeratë", thotë zoti Lorenz.

Në të gjithë botën, miliona qeramarrës dhe jo vetëm në rrethet financiare, kanë ndalur, ose po i vonojnë, pagesat e qerave të tyre pronarëve, pasi ekonomitë për përjetojnë goditje. Hotelet dhe restorantet, si dhe bizneset me pakicë dhe ato të magazinimit, të gjitha janë goditur fort nga pandemia. Shumë prej tyre do të falimentojnë, duke i lënë pronarët e godinave tregtare me humbje të konsiderueshme, thonë analistët.

Në të gjithë Evropën Perëndimore më pak se gjysma e qeramarrësve kanë paguar qeratë e tyre në kohë. Hotelet kanë qenë veçanërisht të vonuara, diçka që nuk befason, duke patur parasysh se nivelet e rezervimeve kanë rënë në 15%. “Ndikimi i COVID-19 tek sektori i pronave tregtare do të ishte sigurisht i dhimbshëm. Sidoqoftë, erozioni tek besimi është i theksuar. Ajo që është edhe më shqetësuese për investitorët dhe klientët është se përmasa e plotë e dëmit që do të ketë për bizneset dhe ekonominë është akoma e paqartë", thotë Simon Rubinsohn nga Instituti Mbretëror i Mbikqyrjes.

Një problem global

E njëjta rënie e pronave komerciale vihet re edhe jashtë Evropës. Në Shtetet e Bashkuara, pronarët e godinave tregtare kanë përjetuar një përgjysmim të qerave të mbledhura, sipas të dhënave të kompanisë studimore "Remit Consulting".

Kamarieri i një restoranti të rihapur në Londër në pritje të klientëve
Kamarieri i një restoranti të rihapur në Londër në pritje të klientëve

Tregu amerikan i pasurive të patundshme tregtare po përjeton një presion në rritje, sipas "Real Capital Analytics", një firmë kërkimore me seli në Nju Jork që monitoron tregun e investimeve të pasurive të patundshme komerciale. Firma raportoi muajin e kaluar se transaksionet ranë me 68% në tremujorin e dytë të vitit 2020 në të gjitha llojet e pronave në krahasim me vitin 2019. Shumë investitorë kanë pritur për të parë se çfarë do të ndodhë. Firma paralajmëroi se tregu është i paralizuar sepse vlera e pronave tani është e paqartë.

Edhe Australia po përjeton të njëjtin problem kur bëhet fjalë për qeratë, si dhe një treg të paralizuar të objekteve tregtare. "Me shumë qiramarrës që nuk paguajnë dot qeranë dhe me shtimin e hapësirave boshe, shumë pronarë kanë zgjedhur të presin dhe të vëzhgojnë, përpara se të marrin ndonjë vendim të shpejtë, gjë që ka sjellë një rënie në aktivitetin e investimeve", i tha revistës "Australian Financial Review", Vanessa Rader, drejtuese e kërkimeve në kompaninë Ray White Commercial.

Humbjet afatshkurtra dhe ndryshimet e mundshme të mëdha që rrjedhin nga tregu i pasurive tregtare paraqesin një kërcënim të madh për fondet e pensioneve dhe investitorët e tjerë afatgjatë, duke iu shtuar kështu vështirësive ekonomike të shkaktuara nga pandemia. Me rënien e bonove të qeverisë që nga kriza financiare e vitit 2008, investitorët institucionalë iu drejtuan gjithnjë e më shumë tregut të pasurive tregtare, duke investuar në hotele, qendra tregtare dhe ndërtesa zyrash, me fitime mesatarisht prej 7%.

Javën e kaluar Banka Botërore tha se kriza financiare e vitit 2008 uli vlerën e aseteve të pensioneve globale me 23%. "Shkalla e pandemisë pritet të jetë më e lartë", paralajmëroi Banka Botërore.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG