Lidhje

Danielsson flet me bizneset mbi zonën ekonomike rajonale


Drejtori i përgjithshëm për fqinjësinë dhe negociatat e zgjerimit, Christian Danielsson, zhvilloi të hënën në mbrëmje një takim në Tiranë me komunitetin e biznesit mbi zonën ekonomike rajonale.

“BE do të vazhdojë mbështetjen e duhur financiare për këtë projekt, sidomos sa u përket krediteve për ndërmarrjet e vogla e të mesme, që e ka nisur prej vjetësh” - tha ai.

Zoti Danielson vlerësoi si mbresëlënëse nismën për krijimin e një forumi bashkëpunimi mes 6 dhomave të tregtisë të Ballkanit perëndimor, i cili, sipas tij, do të sjellë mbështetjen e duhur në lidhje me investimet në rajon.

“Në Samitin e Triestes tre muaj më parë udhëheqësit arritën në vizionin tepër guximtar, për të krijuar një zonë ekonomike rajonale. Tani që kemi këtë udhërrëfyes me hapësirë kohore deri në vitin 2020 kemi sfidën që të arrihen të gjitha sfidat e tij” - tha zoti Danielson.

Projekti bazohet, sipas tij në katër shtylla: tregtia në rajonin e Ballkanit perëndimor; mallra, shërbime dhe zgjidhje mosmarrëveshjesh.

Së dyti, investimet; klima e investimeve të jetë më e mirë në vendet e Ballkanit perëndimor, që ato të bëhen pjesë e zinxhirit të BE-së.

E treta, lëvizshmëria dhe heqja e pengesave që ekzistojnë sot.

“Profesionistët duhet ta kenë më të lehtë që të mund të punojnë në vendet e tjera. Këto pengesa duhen hequr edhe për studentët, kërkuesit shkencorë dhe akademikët” - tha ai, duke shtuar edhe si shtyllën e katërt agjendën digjitale në shërbimet për të ardhmen.

Zoti Danielson theksoi se, me arritjen e këtij plani thelbësor për të ardhmen e Ballkanit perëndimor, vendet e rajonit do të kenë një potencial të madh ekonomik, më shumë vende pune e zhvillim, dhe më shumë përafrim me Bashkimin Europian.

“Mendimet e komunitetit të biznesit janë thelbësore dhe kyç për këtë sukses, sepse identifikon pengesat, punon për t'i hequr ato dhe krijon bashkëpunim konkret që të ngrihet kjo zonë rajonale ekonomike” - tha drejtori i përgjithshëm për fqinjësinë dhe negociatat e zgjerimit, Christian Danielsson.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG