Lidhje

Ferguson: Polici Darren Wilson jep dorëheqjen


Polici i bardhë i cili qëlloi për vdekje një adoleshent zezak të paarmatosur në shtetin amerikan të Mizurit, pas një konfrontimi në rrugë, duke shkaktuar protesta, ka dhënë dorëheqjen.

Polici Darren Wilson tha në letrën e tij të dorëheqjes dje se ai nuk donte që punësimi i tij të rrezikonte sigurinë e policëve të tjerë dhe të banorëve të qytetit.

Zoti Wilson ishte me leje të detyruar që nga koha kur ai qëlloi për vdekje 18-vjeçarin Michael Brown në gusht të këtij viti në Ferguson.

“Unë besoj se ai duhej të jepte dorëheqjen. Unë besoj se ai duhet të ishte shpallur fajtor", thotë Victoria Rutherford, banore e Fergusonit.

Zoti Wilson thotë se shpreson që dorëheqja e tij të nxisë mbylljen e plagëve brenda komunitetit.

Kryetari i Bashkisë i Fergusonit, James Knowles tha në një konferencë për shtyp sot se as ai dhe as shefi i policisë nuk i kanë kërkuar Wilsonit që të jepte dorëheqjen, duke shtuar se ai nuk do të marrë kompensim financiar për shkëputjen nga puna.

Ai tha se autoritetet lokale po punojnë me intensitet për të mbledhur burimet për të rregulluar dëmet nga protestat dhe plaçkitjet pas vendimit të jurisë për të mos ngritur akuza ndaj Wilsonit për vrasjen e të riut Brown.

Të paktën një banor i Fergusonit beson se zoti Wilson do të ndeshet me sfida të tjera.

"Fatkeqësisht, ende ka një urrejtje të madhe kundër tij. Njerëzit nuk mund të kuptojnë dhe pranojnë faktet dhe provat e këtij rasti. Shpresoj që ai do të mund të punojë në të njejtën fushë në ndonjë vend ku ai do të jetonte një jetë të qetë dhe të linte prapa atë që i ndodhi këtu".

Ndërkohë, dje vazhduan protestat kundër vendimit të jurisë për të mos ngritur akuza kundër policit Darren Wilson për vrasjen e adoleshentit Michael Brown.
Një grup i protestuesve nga Fergusoni kanë filluar një marshim shtatë-ditor, prej 193 kilometrash në drejtim të kryeqytetit të shtetit Mizuri, Xheferson.

Shoqata Kombëtare për Përparimin e Njerëzve me Ngjyrë thotë se marshimi ka për qëllim të bëjë thirrje për një udhëheqje të re dhe reforma në Departamentin e Policisë në Ferguson dhe në mbarë vendin.

Vrasja e Michael Brown-it ka ndezur tensionet racore në vend dhe ka rindezur shqetësimet mbi brutalitetin policor, veçanërisht kundër popullsisë afrikano-amerikane të vendit.

XS
SM
MD
LG