Lidhje

DASH, Shqipëria dhe Kosova në raportin për të drejtat e njeriut


DASH, Shqipëria dhe Kosova në raportin për të drejtat e njeriut
DASH, Shqipëria dhe Kosova në raportin për të drejtat e njeriut

Departamenti amerikan i Shtetit publikoi sot raportin e përvitshëm për të drejtat e njeriut në 194 vende të botës. Raporti jep një vështrim të përgjithshëm të gjendjes së këtyre të drejtave në secilin vend gjatë vitit 2010.

Në pjesën për Shqipërinë, raporti përmend zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 dhe thotë se ato u përshkruan nga OSBE dhe ODIHR-i si të tilla që shënuan përparim në krahasim me zgjedhjet e kaluara por pa i realizuar plotësisht angazhimet e OSBE-së. Megjithëse Partia Socialiste votoi për certifikimin e zgjedhjeve si të ligjshme dhe përfundimtare, thuhet në raport, ajo filloi bojkotimin e parlamentit duke kërkuar hetimin e zgjedhjeve.

Lidhur me aspektet e tjera, në raport thuhet se korrupsioni në polici vazhdoi ndërkohë që korrupsioni qeveritar mbeti një problem serioz dhe i pazgjidhur. Edhe trafikimi i personave mbeti problem, thuhet në raport. Kushtetuta, thotë raporti i Departamentit të Shtetit, flet për një gjyqësor të pavarur por trysnia politike, frikësimet, korrupsioni i përhapur dhe mjetet e kufizuara disa herë e kanë penguar gjyqësorin të funksionojë si i pavarur. Për median, raporti përmend se ka patur njoftime që flasin për trysni të qeverisë dhe biznesve mbi median.

Në pjesën për Kosovën, raporti bën fjalë për probleme që lidhen me ndërhyrje të qeverisë në forcat e sigurisë dhe gjyqësorin, mungesë të procesit të duhur gjyqësor, frikësim të medias nga zyrtarë publikë dhe individë, incidente dhune ndaj pjestarëve të komuniteteve fetare dhe dëmtim pronash fetare, përparim të kufizuar në kthimin e të zhvendosurve, dhunë dhe diskriminim kundër grave si dhe trafik të grave dhe vajzave.

Në raport thuhet se ndonëse ligji parashikon ndëshkime për korrupsionin mes zyrtarëve, qeveria nuk e zbatoi ligjin me efektivitet dhe korrupsioni mbetet një problem serioz, edhe perceptimi i publikut për korrupsionin në qeveri ka qenë i lartë.

Dobësia e përgjithshme në sundimin e ligjit ka ndikuar te korrupsioni në qeveri, thuhet në pjesën për Kosovën të raportit që publikoi sot Departamenti i Shtetit për të drejtat e njeriut në botë.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG