Lidhje

DASH përshëndet zgjedhjet në Kosovë


Departamenti amerikan i Shtetit përshëndet suksesin e zgjedhjeve të djeshme komunale në Kosovë. Një zyrtar i DASH-it tha se “si një demokraci e re, Kosova meriton zgjedhje të cilat pasqyrojnë vullnetin e vërtetë të qytetarëve dhe ne presim raportin fillestar vlerësues të Misionit Vëzhgues të Bashkimit Evropian.

Edhe pse, mbetet ende edhe shumë punë, këto zgjedhje kanë vënë themelet që udhëheqësit politikë të kryejnë një reformë të mirëfilltë zgjedhore. Votimet treguan që Kosova është në gjendje të organizojë zgjedhjet e ardhshme në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe me aspiratat e saj evropiane”
thuhet në deklaratë.

DASH ndërkaq ka dënuar incidentet që çuan në ndërprerjen e votimeve në disa zona në veriun e Mitrovicës të banuar me shumicë serbe. “Ata që nxisin dhunën dhe përpiqen të parandalojnë qytetarët e Kosovës për ushtrimin e të drejtës së tyre të votës, duhet të mbahen përgjegjës. Autoritet e Kosovës, me mbështetjen e OSBE-së dhe BE-së, po i rishikojnë zhvillimet e djeshme dhe po diskutojnë hapat që duhen ndërmarrë. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndihmojnë dhe mbështesin rezultate të sukseshme të procesit demokratik. Ne vazhdojmë të mbështesim qeveritë e Kosovës dhe Serbisë ndërkohë që ato po përpiqen të normalizojnë marrëdhënit në kuadrin e dialogut me ndërmjetësinë e Bashkimit Evropian, për përmirësimin e jetës së njerëzve dhe për ta çuar rajonin përpara”, thuhet në përfundim të deklaratës.
XS
SM
MD
LG