UASHINGTON - Deklaratat e Presidentit Donald Trump se përdorimi i fletëvotimeve me postë për zgjedhjet presidenciale të nëntorit do të rezultojë në "zgjedhjet më të manipuluara" në historinë e Shteteve të Bashkuara po trondisin organizatat që përfaqësojnë zyrtarët zgjedhorë në shtetet amerikane, si dhe ligjvënësit kryesorë.
Presidenti Trump i bëri pretendimet në një seri mesazhesh në Twitter të hënën, duke pretenduar se përdorimi i fletëvotimeve me postë në disa shtete amerikane, disa të shtypura në vende të huaja, "DO TË JENË SKANDALI I KOHËRAVE TONA!".
Por përfaqësuesit e Shoqatës Kombëtare të Sekretarëve të Shtetit (NASS) dhe Shoqatës Kombëtare të Drejtuesve të Zgjedhjeve Shtetërore (NASED) thonë se nëse ekziston ndonjë gjë në mbështetje të akuzave, administrata Trump ende nuk e ka ndarë me ta.
"Ne nuk jemi në dijeni të ndonjë prove në mbështetje të pretendimeve të bëra nga Presidenti Trump", i tha Zërit të Amerikës drejtoresha e komunikimit në NASS Maria Benson përmes emailit. "Si gjithmonë, jemi të hapur për të mësuar më shumë rreth shqetësimeve të administratës".
"Amerikanët duhet të kenë besim se zgjedhjet tona janë të administruara në mënyrë të drejtë dhe të siguruara mirë, me masa integrale mbrojtëse për të siguruar rezultatet e sakta", tha ajo.
Amy Cohen, drejtore ekzekutive e NASED, i tha Zërit të Amerikës se "siguria është me rëndësi të madhe për zyrtarët zgjedhorë të shteteve".
Të dyja organizatat, të cilat përfaqësojnë zyrtarët e shteteve për zgjedhjet nga të dyja partitë, republikane dhe demokrate, risollën gjithashtu në vëmendje një deklaratë të përbashkët nga muaji maj ku sigurohen votuesit se "të gjitha shtetet kanë zbatuar një numër masash sigurie për të mbrojtur integritetin e votës".
Një ligjvënës kryesor në Komisionin për Zbulimin të Senatit, i cili ka nxjerrë një seri raportesh mbi ndërhyrjen ruse gjatë zgjedhjeve presidenciale të 2016, gjithashtu iu kundërvu akuzave të presidentit për manipulim të zgjedhjeve.
"Jo vetëm që komisioni nuk ka parë asnjë provë për këtë, por ka rekomanduar, me mbështetje dypartiake, përdorimin e fletëve të votimit sepse ato, në të vërtetë, janë më pak të ekspozuara ndaj ndërhyrjeve nga vende të huaja armiqësore, si Rusia, sesa sistemet tradicionale të votimit elektronik", i tha Zërit të Amerikës senatori Mark Warner, nënkryetar i këtij komisioni.
Disa prej agjensive qeveritare përgjegjëse për mbikëqyrjen e elementëve të sigurisë së zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara - përfshirë Agjensinë e Sigurisë Kibernetike dhe Infrastrukturës së Sigurisë (CISA), Zyrën e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare dhe Byronë Federale të Hetimit (FBI) - i referuan për në Shtëpinë e Bardhë pyetjet në lidhje me fletëvotimet me postë dhe manipulimet e zgjedhjeve.
Pyetjet e Zërit të Amerikës për Shtëpinë e Bardhë në lidhje me pretendimet e presidentit nuk morën përgjigje.
Por të hënën vonë, Presidenti Trump i përsëriti akuzat në një intervistë për Scripps Television.
"Ka mijëra raste gjithandej. Mijëra. Nuk më pëlqen sistemi", tha Presidenti Trump kur u pyet për shembuj.
"Me fletëvotimet me postë, njerëzit mund t'i falsifikojnë ato. Vendet e huaja mund t'i shtypin ato", shtoi ai. "Ne po mundohemi ta ndalim këtë".
Kjo nuk është hera e parë që Presidenti Trump ka kritikuar përdorimin e fletëvotimeve me postë.
Ai kritikoi fillimisht votimin me postë në prill nëpërmjet një mesazhi në Twitter, duke paralajmëruar për manipulime zgjedhore.
Dhe në një mesazh në Twitter më 24 maj, Presidenti Trump e quajti votimin nëpërmjet postës një skemë mashtrimi që do të ndihmonte në manipulimin e zgjedhjeve.
Por, kritika e tij e fundit u pasua nga një raund i ri paralajmërimesh nga Prokurori i Përgjithshëm William Barr, i cili tha për kanalin Fox News se përdorimi i fletëvotimeve me postë, "absolutisht i hap dyert manipulimit".
"Në këtë moment, një vend i huaj mund të shtypë dhjetëra mijëra fletëvotime të falsifikuara, dhe (do të ishte) shumë e vështirë për ne të zbulonim se cila është e duhura dhe cila është fleta e gabuar e votimit", tha Barr. "Mund të trazojë dhe dëmtojë besimin në integritetin e zgjedhjeve tona. Madje, ne duhet të ishim duke i shtrënguar gjërat tani".
Shumica e shteteve amerikane tashmë e ofrojnë një formë të votimit nëpërmjet fletëvotimeve me postë elektronike, të ashtuquajturat fletëvotime "në mungesë”. Por për shkak të shqetësimit për pandeminë e koronavirusit, një numër shtetesh amerikane po veprojnë për të zgjeruar përdorimin e fletëvotimeve me postë për zgjedhjet e nëntorit.
Zyrtarët me Agjensinë e Sigurisë Kibernetike dhe Sigurisë së Infrastrukturës (CISA) po premtojnë të ndihmojnë me masat e sigurisë shtetet që do përdorin fletëvotimet me postë në muajin nëntor. Një zyrtar i quajti një seri votimesh paraprake të mbajtura në fillim të këtij muaji, të cilat mbështeteshin shumë në votimin me postë, një "praktikë e mirë".
Megjithë shqetësimet e ngritura nga zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë dhe prokurori i përgjithshëm në lidhje me vendet e huaja që përpiqen të manipulojnë fletëvotimet me postë, shumica e zyrtarëve amerikanë të sigurisë dhe inteligjencës thonë se shqetësimi më i madh është se si vende si Rusia dhe Kina po përdorin operacione të ndikimit për të ndryshuar botëkuptimin e votuesve.
"Faktorët e huaj vazhdojnë të përpiqen të ndikojnë në ndjesinë e publikut dhe t'i japin formë perceptimit të votuesve", paralajmëruan përpara zgjedhjeve paraprake në mars në një deklaratë të përbashkët departamentet e Shtetit, Mbrojtjes, Sigurisë së Brendshme dhe Drejtësisë, së bashku me FBI-në, Agjensinë e Sigurisë Kombëtare dhe ente të tjera federale. "Ata përhapin informacione të rreme dhe propagandë për proceset politike dhe kandidatët në mediat sociale me shpresë se do të shkaktojnë konfuzion dhe do të krijojnë dyshime në sistemin tonë".
Agjensitë e zbulimit, si Agjencia e Sigurisë Kombëtare (NSA), mbeten në gatishmëri.
"NSA vazhdon të zgjerojë dijenitë e saj për kundërshtarët e huaj në përpjekje për të përcaktuar se cilat janë planet dhe synimet e tyre për zgjedhjet tona", tha NSA në një deklaratë të hënën. "Kjo përqasje e të gjithë qeverisë përmirëson sigurinë e infrastrukturës sonë zgjedhore dhe ndërpret përpjekjet e ndikimit të huaj tek publiku amerikan".
Facebook Forum