Lidhje

Demokratët mbrojnë politikën e jashtme të Presidentit Obama


Pikëpamje të ndryshme të dy partive para zgjedhjeve presidenciale të nëntorit

Këtë javë demokratët po i kundërpërgjigjen republikanëve që e kanë cilësuar politikën e jashtme të administratës së Presidentit Obama si të dobët dhe jo të përqendruar. Ish-Sekretarja e Shtetit Madeleine Albright e mbrojti politikën e jashtme të Presidentit Obama në një intervistë me korrespondenten e Zërit të Amerikës, Carolyn Presutti:

Në Siri vazhdon gjakderdhja dhe republikanët akuzojnë demokratët se po i shpërfillin masakrat dhe nuk po bëjnë sa duhet.

Lidhur me luftimet në Afganistan dhe Irak, demokratët kundërpërgjigjen se republikanët nuk duan që të mbyllin konfliktet atje dhe janë të prirur të fillojnë luftrat në Siri dhe Iran.

Presidenti Obama nënshkroi traktatin e ri START me Rusinë në vitin 2010. Rivali i tij, Mitt Romney tha se ky nënshkrim mund të ketë qenë gabimi më i madh politik i Presidentin Obama. Kandidati republikan thotë se kjo e rrezikon sigurinë e Amerikës dhe është lëshim ndaj kërkesave ruse. Ish-Sekretarja e Shtetit Madeleine Albright që ka shërbyer në një administratë demokrate, reagon.

“Të thuash që Rusia është problemi ynë politik numër një do të thotë se jeton në të kaluarën. Është një nga çështjet, Rusia është një vend i ndërlikuar por ta quash problemin numër 1, tregon mungesë të plotë njohjeje të gjendjes ndërkombëtare, se çfarë problemesh ka bota e shekullit të 21-të”.

Por Brian Darling i Fondacionit Heritage nuk është dakord.

“Politika e jashtme e Mitt Romney-t nuk është aspak e vjetëruar. I ka rrënjët në politikën e jashtme të Ronald Reganit: paqe përmes forcës. Është e lidhur me politikën e jashtme të ish-Presidentit George W. Bush i cili besonte tek sulmi ndaj armiqve dhe parandalimi i kërcënimeve në botë”.

Zonja Albright thotë se ndryshimi mes dy partive është se demokratët zgjedhin diplomacinë në vend të forcës.

“Është thelbësore të dëgjosh se ç’thonë vendet e tjera, të bashkëpunosh me to. Është shenjë e forcës së Amerikës”.

Condoleezza Rice ishte Sekretare Shteti në një administratë republikane. Në kuvendin republikan javën e kaluar, ajo tha se Presidenti Obama nuk e ka bërë të qartë politikën e tij të jashtme.

“Bashkëkombasit e mi amerikanë: ne nuk kemi luksin e zgjedhjes. Nuk mund të ngurrojmë të udhëheqim dhe nuk mund të udhëheqësh nga pas”.

Presidenti Obama pritet të flasë më shumë për politikën e jashtme në një mandat të dytë, kur të japë fjalimin në kuvendin demokrat nesër. Sigurisht që kandidatët do të flasin edhe më shumë për këtë temë gjatë dy muajve të ardhshëm deri në zgjedhjet e nëntorit.

XS
SM
MD
LG