Lidhje

Demokratët përballen në debatin e fundit presidencial para zgjedhjeve brenda partisë


Debati i shtatë mes kandidatëve demokratë për president u zhvillua të martën në qytetin Demojn (Des Moines) të shtetit Ajova (Iowa). Kandidatët u pyetën për një gamë të gjerë çështjesh, përfshirë veprimet ushtarake amerikane në Iran, kujdesin shëndetësor dhe politikën e jashtme.

Komente nga të shtatë kandidatët

Ish-nënpresidenti Joe Biden, e quajti të gabuar votën e tij në vitin 2002 për të autorizuar përdorimin e forcës ushtarake në Irak, por ai u përqendrua tek një përmbledhje nga arritjet e tij në politikë. “Kam thënë 13 vjet më parë se ishte gabim t’i jepja presidentit autoritetin për të shkuar në luftë...Ishte një gabim. E pranoj këtë. Mendoj se puna ime në përgjithësi flet vetë dhe jam i gatshëm ta krahasoj me këdo në këtë debat”, tha zoti Biden.

Pete Buttigieg, ish-kryebashkiak i qytetit South Bend të shtetit Indiana, tha se nëse zgjidhet ai do të kërkonte një datë skandence trevjeçare për legjislacionin që autorizon përdorimin e ushtrisë amerikane jashtë vendit.

“Kur të jem president, në çdo kohë por shpresoj që kjo të mos ndodhë kurrë, por kurdo që të jem i detyryar të përdor forcën dhe kërkoj autorizim, afati i tij do të jetë tre vjet, në mënyrë që populli amerikan të jetë i përfshirë, jo vetëm në vendimin për të dërguar trupa por edhe nëse misioni do të vazhdojë.”

Senatorja Amy Klobuchar, ndërsa iu përgjigj një pyetje për politikën e jashtme, u shpreh se do të linte disa trupa luftarake në Irak. “Do të lija disa trupa atje, por jo në nivelin që po e çon tani Donald Trumpi”.

Ajo shtoi se nëse zgjidhet, do të mbante një numër të vogël forcash amerikane në Afganistan, për të kryer detyra kundër terrorizmit dhe trajnim.

Senatori Bernie Sanders i pyetur rreth mundësisë për ta bërë financiarisht të përballueshëm kujdesin për fëmijët, u shpreh se: “Qindra miliarda dollarë subvencione për industrinë e lëndëve djegëse fosile. Ulje taksash për miliarderët dhe pastaj u thuhet nënave dhe baballarëve, ne nuk mund të kemi kujdes për fëmijët të përballueshëm financiarisht dhe të një cilësie të lartë. Kjo është e gabuar.”

Miliarderi Tom Steyer, menaxher investimesh dhe ambjentalist, ndërsa foli për ndikimin e korporatave amerikane mbi sistemin e kujdesit shëndetësot, tha: “Po bëhen shumë shpenzime sepse korporatat zotërojnë sistemin. Dhe ne nuk po negociojmë kundër këtyre korporatave. Për dekada me radhë janë bërë ulje takasash për amerikanët e pasur dhe korporatat më të mëdha. Këtu qëndron problemi. Kemi korporata që po shfrytëzojnë popullin amerikan dhe njerëzit po vuajnë.”

Senatorja Elizabeth Warren, në diskutimin nëse zoti Sanders bëri një koment në lidhje me mundësinë e zgjedhjes së një gruaje në postin e presidentit, tha: “Të vetmit njerëz në këtë debat që kanë fituar çdo zgjedhje në të cilat kanë marrë pjesë janë gra, Amy (Klobuchar) dhe unë. Dhe i vetmi përson që ka mundur një republikan në detyrë çdo herë gjatë 30 viteve të fundit, jam unë.”

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG