Lidhje

Demokratët: abuzimi i pushtetit nga presidenti, shkelje që meriton shkarkimin


Jerrold Nadler, Kryetari i Komisionit të Ligjeve të Dhomës së Përfaqësuesve

Ligjvënësit demokratë ndërmorën hapin e radhës në procesin hetimor për shkarkimin e Presidentit Donald Trump. Katër ekspertë ligjorë dhanë opinionin e tyre se çfarë thotë kushtetuta amerikane për standartet e shkarkimit të një presidenti përmes hetimeve. Raundi i ri i dëgjesave në Komisionin e Ligjeve e ka afruar më shumë mundësinë e votimit të Neneve të Akuzës përpara fundit të vitit dhe zhvillimin e një gjyqi në Senat që do të vendosë nëse presidenti do të hiqet nga detyra.

Ligjvënësit demokratë thonë se prova është e qartë – Presidenti Donald Trump vonoi ndihmën amerikane për Ukrainën, me qëllim përfitimin e interesave të tij personale politike.

“Ai ishte i gatshëm të kompromentonte sigurinë tonë dhe detyrën e tij për përfitime personale politike. Nuk ka rëndësi që Presidenti Trump u zbulua dhe rrjedhimisht i lëvroi fondet që i duheshin aq shumë Ukrainës. Ajo që ka rëndësi është se ai rekrutoi një qeveri të huaj për të ndërhyrë në zgjedhjet tona”, tha Jerrold Nadler, Kryetar i Komisionit të Ligjeve të Dhomës së Përfaqësuesve.

Zoti Nadler udhëheq tashmë procesin hetimor. Ai u kërkoi ekspertëve të kushtetutës të përcaktojnë nëse veprimet e Presidentit Trump shkelën betimin e tij dhe nëse ndaj tij duhen ngritur akuza me qëllim shkarkimin.

“Abuzimi i pushtetit ndodh kur presidenti shfrytëzon pushtetin e tij, pushtetin mbresëlënës të postit të tij, për të mos i shërbyer publikut amerikan, por për t’i shërbyer interesave të tija personale, individuale, partiake dhe elektorale”, tha Noah Feldman, i Shkollës Juridike të Harvardit.

Abuzimi i pushtetit klasifikohet ndër krimet e rënda dhe ndër shkeljet për të cilat mund të shkarkohesh, thanë ekspertët.

“Nëse kjo që po diskutojmë nuk përbën baza për shkarkim, atëherë asgjë tjetër nuk do të ishte e tillë. Ky është pikërisht lloji i veprimeve të papranueshme për të cilat etërit krijuan Kushtetutën që të na mbrojë”, tha Michael Gerhardt, Shkolla Juridike e Karolinës së Veriut.

Por, jo të gjithë ekspertët ranë dakort.

“Mendoj se ky proces hetimor jo vetëm që nuk përmbush standartet e proceseve të kryera më parë, por do të krijojë një precedent të rrezikshëm për proceset hetimore të së ardhmes”, tha Jonathan Turley, profesor në Universitetin George Washington.

Republikanët thanë se ishin shqetësimet e Presidentit Trump për korrupsionin në Ukrainë që motivuan veprimet e tij.

“Është një vend për të cilin ai pati shqetësime që në fillim. E keni parasysh që ai ka shqetësime për asistencën ndaj vendeve të tjera, por në veçanti për vendin në fjalë”, tha Ligjvënësi republikan Doug Collins.

Presidenti Trump ngriti pikëpyetje rreth arsyeve pse demokratët ndërmorën hapin serioz të procesit hetimor.

“Për këta njerëz pothuajse të lind pyetja nëse e duan vendin tonë apo jo?”, u tha gazetarëve Presidenti Trump.

Me zgjedhjet presidenciale të 2020-tës që po afrohen, demokratët thonë se nevoja për të vepruar është urgjente.

“Nuk kemi luks të presim, ndërsa presidenti vazhdon t’u kërkojë vendeve të tjera të përfshihen në zgjedhjet tona”, tha Ligjvënësi demokrat Eric Swalwell.

Profesor Turley i paralajmëroi demokratët të mos nxitohen me ngritjen e akuzave.

“Caktuat një periudhë kohore jashtëzakonisht të shkurtër. Kërkoni sasi tepër të mëdha informacioni, dhe kur të dalë presidenti në gjyq, ju do ta akuzoni. A ju përputhet kjo me ato çfarë keni dëgjuar rreth shkarkimeve përmes procesit hetimor? A përputhet kjo me funksionimin e shtetit ligjor për të cilin po flasim?”, u tha ligjvënësve Profersor Jonathan Turley.

Komisioni i Ligjeve pritet të organizojë dëgjesa të tjera javën e ardhshme, ndërsa ekziston mundësia që Dhoma e Përfaqësuesve të votojë për ngritjen e akuzave brenda këtij muaji.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG