Lidhje

Demokratët në avantazh në disa shtete kryesore për zgjedhjen e senatorëve


Kapitoli, selia e Kongresit të Shteteve të Bashkuara

UASHINGTON - Me më pak se katër muaj të mbetur deri në ditën e zgjedhjeve, demokratët në Kongres po ndjehen gjithnjë e më të sigurt se mund të fitojnë vendet e nevojshme për të marrë përsëri kontrollin e Senatit të Shteteve të Bashkuara.

Kandidati demokrat për president Joe Biden kryeson ndaj Presidentit Donald Trump në shkallë vendi, me një mesatare të sondazheve të "RealClearPolitics" të kryera në fund të qershorit që tregojnë ish-nënpresidentin në avantazh me tetë pikë përqindje. Dinamika e garës presidenciale po krijon një mjedis miqësor për sfidantët demokratë në votime për vendet që mbahen nga pala tjetër.

Republikanët aktualisht kontrollojnë 23 nga 35 vendet që do të jenë për rizgjedhje këtë vit, por garat në vetëm disa shtete kryesore do të vendosin balancën e fuqisë. Një Senat i kontrolluar nga Demokratët mund të ndikojë dukshëm në aftësinë e një Presidenti Trump të rizgjedhur për të vënë në jetë një axhendë të mandatit të dytë, ose për kandidatin e supozuar demokrat Joe Biden që të zbatojë politikat e tij nëse zgjidhet presidenti i 46-të i vendit. Demokratët do të duhet të fitojnë tre deri në katër vende në Senat për të siguruar avantazhin e tyre.

Ndërsa koronavirusi ka krijuar një mjedis politik që nuk është parë në asnjë vit tjetër elektoral, dinamika unike e drejtimit të fushatave në internet mund të nënkuptojë se gara presidenciale ka edhe më shumë efekt sesa zakonisht në garat për vendet që mbahen nga pala tjetër.

"Të dy kandidatët presidencialë kanë shumë para për të shpenzuar", tha Todd Belt, drejtor i programit të menaxhimit politik në Shkollën Pasuniversitare të Menaxhimit Politik të Universitetit "George Washington". "Dhe në mungesë të mundësisë për të vepruar në person, ata do t'i shpenzojnë ato duke synuar shtetet e lëkundshme".

Po cilat janë disa prej atyre shteteve, garat për në Senat e të cilëve do të ndihmojnë në përcaktimin e rezultatit presidencial?

Alabama

Presidenti Trump mbetet jashtëzakonisht popullor në Alabama, i vetmi shtet ku republikanët kanë një shans të mirë për të larguar senatorin aktual demokrat Doug Jones. Presidenti Trump do të mbajë një tubim elektoral në mbështetje të ish-trajnerit të futbollit Tommy Tuberville në Mobile, Alabama, më vonë këtë muaj, pak përpara zgjedhjeve paraprake republikane të 14 korrikut në të cilat ish-Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions është rivali republikan i zotit Tuberville.

Presidenti Trump e ka mbajtur garën republikane në qendër të vëmendjes kombëtare me mesazhe negative në Twitter rreth zotit Sessions. Në fillim të këtij viti, Presidenti Trump kritikoi ish-prokurorin e përgjithshëm për vetëpërjashtimin e tij nga hetimet e prokurorëve specialë për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016.

"Jeff, ti e pate shansin tënd & e shpërdorove. E përjashtove veten NË DITËN E PARË (nuk më tregove kurrë për ndonjë problem) dhe ike me vrap drejt kodrave. Nuk pate guxim & shkatërrove shumë jetë”, shkruajti në Twitter Presidenti Trump.

Zoti Sessions iu përgjigj njoftimit për tubimin e Presidentit Trump në mbështetje të kandidatit Tuberville, duke shkruajtur në Twitter se, "Popullit të Alabamas nuk do t'i thuhet nga askush në Uashington se për kë duhet të votojë. Siç tregon përvoja rishtazi, në Alabama ne marrim vendimet tona se kush do të na përfaqësojë në Senati amerikan".

Një studim i 26 qershorit nga firma demokrate e anketimeve "ALG Research" tregon se Senatori demokrat Jones radhitet pas të dy kandidatëve Tuberville dhe Sessions, me nga dy deri në tre pikë përqindje në gara hipotetike kokë më kokë. Shanset ende favorizojnë republikanët që ta marrin këtë vend në Senat. Faqja e pavarur analitike në internet "Cook Political Report", e vlerëson Alabaman si një vend në Senat që ka të ngjarë të anojë nga republikanët.

Arizona

Një nga pesë vendet e mbajtura nga senatorë republikanë, të cilat janë të gjitha të vlerësuara nga "Cook Polical Report" si gara elektorale ku palët kanë shanse të barabarta, Arizona tani duket gjithnjë e më mirë për sfidantin demokrat dhe ish-astronautin Mark Kelly. Ai është në avantazh përballë republikanes Martha McSally me një mesatare prej gjashtë pikë përqindjeje, sipas sondazheve të "RealClearPolitics". Pikët për zotin Kelly gjithashtu janë rritur më shpejt se për zonjën McSally, e cili humbi garën e saj në vitin 2018 për të mbushur vendin e lënë vakant nga vdekja e senatorit John McCain, dhe në vazhdim u emërua për të mbushur vendin e lirë të senatorit John Kyl.

Vështirësitë e zonjës McSally reflektojnë një problem edhe më të madh për Partinë Republikane në Arizona. Presidenti Trump e fitoi Arizonën me gati katër pikë përqindje në zgjedhjet e vitit 2016, por një sondazh mes 600 votuesve të mundshëm të kryer në javën e fundit të qershorit konstatoi se zoti Biden kryesonte ndaj presidentit me dy pikë përqindje. Rritja e popullsisë hispanike në këtë shtet, si dhe ndikimi që ka mbi gjendjen në përgjithësi pjesëmarrja e votuesve në zonën e qytetit Phoenix me prirje demokrate, mund të rezultojë në shtetin që do të ndërrojë anë duke zgjedhur zotin Biden.

Zoti Belt thotë se ndërsa demografia e shtetit është në favor të zotit Kelly, zonja McSally ka dobësi personale që ndikojnë në garë.

"Ajo as nuk mundi të fitonte përballë konkurretes Kyrsten Sinema", tha zoti Belt. "Ajo është jashtëzakonisht e ekspozuar, pasi sapo ishte emëruar për atë vend, me vetëm dy vite eksperiencë. Pra, ajo nuk ka patur me të vërtetë një shans për të sjellë rezultate dhe për të bërë llojet e gjërave që e bëjnë rizgjedhjen më të lehtë".

Kolorado

Gara e Senatit në Kolorado ka një përballje midis ish-guvernatorit John Hickenlooper dhe senatorit aktual, Cory Gardner, asnjëri prej të cilëve nuk ka humbur kurrë një garë politike në këtë shtet. Zoti Hickenlooper kohët e fundit ia kaloi sfidantëve tij kryesorë ndërsa mblodhi gjithsej 3.7 milion dollarë në më pak se tre muaj, një rekord në këtë shtet për fazën që i paraprin votimeve paraprake të ciklit zgjedhor. Një anketim i votuesve të mundshëm të Kolorados në fund të qershorit tregoi gjithashtu numra inkurajues për zotin Hickenlooper. Ai kryeson ndaj zotit Gardner me 11 pikë përqindje. Zoti Gardner është përpjekur të minimizojë lidhjet e tij me Presidentin Trump dhe ka kërkuar një raund të dytë të ndihmës për koronavirusin më herët se shumica e republikanëve.

Kolorado ka qenë gjithnjë në radhët e një grupi të vogël të shteteve të lëkundura për zgjedhjet presidenciale. Por ashtu si Arizona, demografia e tij po diversifikohet dhe po e afron shtetin më pranë demokratëve. Kolorado nuk ka votuar për një kandidat presidencial republikan që kur George W. Bush e fitoi këtë shtet në vitin 2004.

Mein

Senatorja në mandatin e saj të katërt Susan Collins është një prej grave republikane në Senat që mund të humbasin vendin e tyre në nëntor, duke ulur kështu diversitetin gjinor të partisë. Zonja Collins u përball me një valë mbledhje fondesh kundër rizgjedhjes së saj jashtëzakonisht herët në ciklin e zgjedhjeve, pas votës së saj të diskutueshme që konfirmoi në detyrë anëtarin e Gjykatës së Lartë Brett Kavanaugh në vitin 2018, si dhe në fillim të këtij viti kur vota e saj ishte vendimtare për të mos thirrur dëshmitarë në gjyqin në Senat ndaj Presidentit Trump.

Në një studim të muajit korrik të "Public Policy Polling", votuesit e shtetit Mein favorizuan sfidanten kryesore demokrate të zonjës Collins, Kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve të shtetit Maine, Sara Gideon, me katër pikë përqindje. I njëjti grup i votuesve u tha anketuesve se ata e perceptonin zonjën Collins si një zë partiak në mbështetje të Presidentit Trump dhe drejtuesit të shumicës në Senat, Mitch McConnell, me katër pikë përqindje mbi grupin e votuesve që e shikonin atë si një zë të pavarur për shtetin Mein. Senatorja Collins ishte e njohur më parë për aftësinë e saj për të qenë një votë e lëkundur midis demokratëve dhe republikanëve dhe pati kultivuar një reputacion jopartiak që tani duket se është në rrezik.

Presidenti Trump humbi në shtetin Maine në vitin 2016. Angus King, kolegu i zonjës Collins në delegacionin në Senat të shtetit Maine, pritet të fitojë garën e tij për rizgjedhje këtë vit.

Karolina e Veriut

Ashtu si sfidantja demokrate në Kolorado, Cal Cunnigham ka mbledhur fonde rekord prej 7.4 milionë dollarësh për fushatën e tij gjatë pjesës së fundit të ciklit elektoral. Veteran ushtarak dhe jurist, ai po përballet me Senatorin republikan Thom Tillis, i cili fitoi në vitin 2014 me vetëm 1 përqind pikë më shumë.

Karolina e Veriut është ndër disa shtete që mund të jenë duke u larguar nga republikanët për shkak të diversifikimit të demografisë, e cila është pasqyruar në të dhënat e fundit të anketimeve. Një mesatare e disa sondazheve të kryera nga "RealClearPolitics" në qershor tregojnë se zoti Cunningham kryeson ndaj zotit Tillis me tre pikë përqindje.

Zoti Belt shikon një mundësi për demokratët në këtë shtet, me Presidentin Trump të zënë me mbrojtjen e shteteve ku ai ka një shans më të mirë për të fituar.

"Nuk duket sikur Presidenti Trump do të përpiqet të jetë shumë konkurrues atje", tha zoti Belt për shanset e presidentit në Karolinën e Veriut. "Ai është realisht duke luftuar në prapavijë, duke u përpjekur të mbajë Pensilvaninë, Ohajon dhe Miçiganin, ku ai sapo bëri një blerje të madhe reklamash në ato tre shtete. Dhe kështu, ai është duke neglizhuar disi Karolinën e Veriut".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG