Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara tha të hënën se do të mbrojë gratë që kërkojnë të abortojnë në Teksas, pasi në këtë shtet u miratua një ligj kufizues dhe i debatueshëm.
Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland tha se Departamenti i Drejtësisë është ende duke shqyrtuar masa urgjente për të sfiduar ligjin e ri të Teksasit që ndalon shumicën e aborteve në këtë shtet.
Javën e kaluar, Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara refuzoi ta bllokojë ligjin pasi përkrahësit e të drejtave të abortit i kishin kërkuar gjykatës të dëgjonte çështjen.
Zoti Garland tha në një deklaratë se Uashingtoni do të "mbrojë ata që kërkojnë të marrin ose ofrojnë shërbime të shëndetit riprodhues" sipas një ligji federal të njohur si Liria e Qasjes në Hyrjet e Klinikave (Freedom of Access to Clinic Entrances Act).
Ligji, i njohur zakonisht si Ligji FACE, mbron ata që kërkojnë abort përkundër kërcënimeve ose ndërhyrjeve.
"Departamenti do të sigurojë mbështetje nga organet federale të zbatimit të ligjit kur një klinikë aborti ose një qendër e shëndetit riprodhues është duke u sulmuar", tha zoti Garland. "Nuk do të tolerojmë dhunën kundër atyre që kërkojnë të marrin ose ofrojnë shërbime të shëndetit riprodhues, pengim fizik ose dëmtim të pronës në kundërshtim me Ligjin FACE".
Teksasi është ndër dymbëdhjetë shtetet kryesisht të udhëhequra nga republikanët që kanë miratuar ndalime të abortit të njohura si "rrahjet e zemrës", të cilat e ndalojnë procedurën nëse diktohet kontraktimi ritmik i indit kardiak të fetusit, gjë që ndodh shpesh në javën e gjashtë të shtatëzanisë, dhe nganjëherë edhe përpara se një grua të kuptojë se është shtatzënë.
Ligji i Teksasit është i pazakontë pasi u jep qytetarëve privatë fuqinë për ta zbatuar, duke i lejuar ata të padisin ofruesit e abortit dhe këdo që "ndihmon ose mbështet" një abort pas gjashtë javësh. Ata që fitojnë padi të tilla do të kenë të drejtën për të përfituar të paktën 10 mijë dollarë.
Ligji i Teksasit hyri në fuqi në fillim të ditës së mërkurë. Dhe madje përpara se Gjykata e Lartë të lëshonte urdhrin e saj, mbështetësit e ligjit vlerësuan gjykatën për mos bllokimin e tij.
*Disa informacione për këtë artikull u morën nga agjensia e lajmeve The Associated Press.
Facebook Forum