Lidhje

Departamenti i Shtetit bën thirrje për qetësi në Kubë


Policia kubane ecën në rrugë pas një proteste kundër qeverisë (Havana, 12 korrik 2021)
Policia kubane ecën në rrugë pas një proteste kundër qeverisë (Havana, 12 korrik 2021)

Departamenti amerikan i Shtetit bëri thirrje të martën për "qetësi" në Kubë pasi protestat më të mëdha në dekada kundër qeverisë komuniste trazuan vendin të dielën.

"Bëjmë thirrje për qetësi dhe dënojmë dhunën ndaj atyre që protestojnë në mënyrë paqësore. Gjithashtu i bëjmë thirrje qeverisë kubane të lirojë të gjithë të arrestuarit për protestë paqësore", u tha gazetarëve zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price.

Rreth 150 protestues janë arrestuar dhe, sipas agjensisë së lajmeve Reuters, vetëm 12 janë liruar.

Ned Price
Ned Price

Zoti Price shtoi se qeveria amerikane po shqyrtonte se çfarë mund të bëjë për të ndihmuar mijëra protestuesit që kanë dalë në rrugët e vendit për të protestuar ndaj një krize ekonomike që ka mbërthyer ishullin dhe trajtimin e pandemisë COVID-19 nga sistemi i kujdesit shëndetësor që dikur merrte vlerësime.

Udhëheqësi i pakicës në Senat, Mitch McConnell u tha gazetarëve të martën se "ne mbështesim popullin e Kubës. Ky ka qenë një regjim i egër, i dhunshëm për rreth 70 vjet tashmë". Ai shtoi se nuk e dinte nëse protestat ishin të forta mjaftueshëm për të "mbizotëruar ndaj banditëve".

Ndërkohë, qasja tek platformat e mediave sociale mbeti të paktën pjesërisht e kufizuar të martën pasi u njoftua se qeveria i mbylli ato të hënën. NetBlocks, një organizatë me qendër në Londër, tha se rrjetet Facebook, Instagram, WhatsApp dhe Telegram ishin mes platformave që u kufizuan.

Zyrtarët në Kubë nuk kanë komentuar mbi qasjen tek këto platforma në vendin ishull.

Qeveria kubane fajëson Shtetet e Bashkuara për trazirat, duke thënë se embargoja është arsyeja për shqetësimet ekonomike të vendit, të cilat e bënë ekonominë të tkurrej me 11%, sipas njoftimeve të qeverisë kubane.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha të hënën se fajësimi i Shteteve të Bashkuara për protestat do të ishte një "gabim i rëndë" dhe prova se qeveria kubane nuk po dëgjonte shqetësimet e publikut kuban.

Raul Castro
Raul Castro

Si shenjë se qeveria kubane është e shqetësuar për protestat, ish-kreu i Partisë Komuniste Kubane, Raul Castro mori pjesë në një takim të zyrës politike për të diskutuar "provokimet", siç u tha në mediat e drejtuara nga shteti. Castro u tërhoq nga pozicioni në prill dhe u zëvendësua nga Miguel Díaz-Canel.

Protestat janë të rralla në Kubë, ku forcat e brendshme të sigurisë kontrollojnë rreptësisht popullsinë, por kushtet ekonomike po bëjnë që shumë të kërkojnë ndryshime.

"Ajo që duam është ndryshimi", i tha agjensisë së lajme AFP, Yamila Monte, një punëtore shtëpiake kubane. "M'u sos durimi".

Njerëzit "janë të zemëruar sepse nuk ka ushqim, sepse ka probleme", tha për AFP-në 39-vjeçari Yudeiky Valverde, punonjës i një shkolle fillore.

Një protestues i cili foli për Associated Press, por që nuk pranoi ta identifikonte veten nga frika e arrestimit të mundshëm, tha: "Jemi të lodhur nga radhët, mungesat. Prandaj jam këtu".

Maykel, një banor i Havanas i cili foli për agjensinë e lajmeve Reuters dhe nuk pranoi të jepte mbiemrin e tij, përshkroi situatën në Kubë duke thënë se "po bëhet e pamundur të jetosh këtu".

Disa informacione për këtë raport u morën nga Associated Press, AFP dhe Reuters.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG