Modelet studimore për ndryshimin e popullsisë dhe rreziqet shëndetësore tregojnë se numri i personave të sëmurë nga demencia në mbarë botën pritet të trefishohet deri në vitin 2050, krahasuar me nivelin e vitit 2019. Përllogaritjet u bënë duke marrë parasysh prirjet e duhanpirjes, mbipeshën, nivelin e lartë të sheqerit në gjak dhe nivelin e ulët arsimor në 204 vende. Studimi vlerëson se do të ketë një rritje të ndjeshme në Afrikën veriore dhe në Lindjen e Mesme.
Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut do të përjetojnë një rritje me 367% të demencias në popullsinë e tyre, konstaton një studim i shkencëtarëve amerikanë në Universitetin e Uashingtonit.
Ky është një parashikim i rritjeve të mundshme të rasteve me demencia në rajon deri në vitin 2050, krahasuar me shifrat e vitit 2019, pikërisht përpara se të fillonte pandemia.
Sipas studimit të publikuar në revistën mjekësore "The Lancet", Arabia Saudite do të ketë një rritje prej 898%, ndërsa Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini do kenë rritje mbi 1 mijë përqind.
Drejtuesja e studimit, Emma Nichols nga Instituti i Matjeve dhe Vlerësimit Shëndetësor në Universitetin e Uashingtonit, thotë se faktorët që rrisin rastet me demencia do të variojnë nga vendi në vend.
"Projeksionet për Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme ishin shumë të mëdha dhe kjo është për shkak të rritjes së madhe të popullsisë dhe plakjes. Këta dy faktorë demografikë në atë rajon, shtojnë projeksionin për demencën. Është vërtet diçka që qeveritë dhe hartuesit e politikave në këto vende duhet ta kenë parasysh në planifikimin e punës së tyre", thotë zonja Nichols.
Megjithatë, mjekët në vendet e zhvilluara si në Shtetet e Bashkuara, Evropë dhe pjesë të Azisë përballen me një popullsi në plakje dhe stil jetese jo të shëndetshëm.
"Menaxhimi i riskut në një moshë shumë më të re në Evropë dhe në botën perëndimore, po jep tashmë ulje të disa llojeve të demencias, si p.sh. demencën vaskulare. Pra, puna për menaxhimin e riskut po jep rezultatin e saj. Sidoqoftë, ne njohim vetëm një pjesë të faktorëve rrezikues. Disa lloje demenciash do të vazhdojnë të shfaqen, bazuar mbi shkaqe që ne nuk i kuptojmë plotësisht", thotë Dr. Karen Harrison Denning, drejtuese shkencore në organizatën "Dementia UK".
Pra përveç faktorit moshë, në pjesë të tjera të botës do të jetë stili i jetesës, duhanpirja, obeziteti dhe dieta e varfër, që do të luajnë një rol edhe më të madh për të shtuar rrezikun e demencias.
Sipas studiuesve, një sistem i mirë arsimor është i rëndësishëm për të komunikuar mesazhet për shëndetin, krijimin e një stili jetese të shëndetshëm tek fëmijët që do t'i ndihmonte ata gjatë vazhdimësisë së jetës së tyre.
"Dieta të shëndetshme, më pak konsum të alkoolit, lënie të duhanit. Një lloj lajtmotivi mund të jetë: duke u kujdesur për zemrën, kujdeseni edhe për kokën. Gjithashtu kemi bërë përparim të madh në mënyrën si menaxhojmë sëmundjet kardiovaskulare që ndikojnë tek truri, si p.sh. nëpërmjet ilaçeve që parandalojnë trombozat. Shohim një rënie të dëmit në funksione që shkaktojnë ishemitë tranzitore dhe për rrjedhojë do të ketë një rënie në të ardhmen të demencias vaskulare", thotë Dr. Dening.
Studimi nuk merr parasysh ndikimin e pandemisë, pra nuk përfshin personat që nuk janë diagnostikuar dot për shkak se mjekët janë përqëndruar tek pacientët me COVID-19.
Dr. Dening thotë se ajo që është vënë re është ndikimi që ka pandemia tek pacientët që vuajnë tashmë nga demencia dhe tek familjet e tyre.
"Nëse konfirmohet (diagnostikimi me demenca), atëherë mund të fillosh të mësosh si të jetosh me të, çfarë mundesh të bësh dhe aktivitetet ku mund të angazhohesh. Pandemia po ndikon thellë tek personat e diagnostikuar me demencën. U ndalën p.sh. mbështetja në grup, rrjetet shoqërore dhe ndërhyrjet e tilla pasi u konsideruan jo thelbësore. Shohim se si njerëzit me demencia dhe familjet e tyre po ndikohen negativisht prej kësaj. Në disa raste, njerëzit me demencia janë përkeqësuar më me shpejtësi, pasi u kanë munguar aktivitetet dhe kujdesi shëndetësor. Ata janë shumë të vetmuar tashmë dhe shumë të izoluar", thotë Dr. Dening.
Studimi thotë se në Evropën Perëndimore, rastet e personave me demencia pritet të rriten me 74%. Deri në vitin 2050, 153 milionë njerëz në mbarë botën pritet të jetojnë me demencia, krahasuar me 57 milionë që ishin në vitin 2019.
Facebook Forum