Lidhje

Dhoma Amerikane e Tregtisë dialog me tatimorët


Dhoma Amerikane e Tregtisë u kërkoi sot drejtuesve të administratës tatimore, që të zbatojnë ligjin në mënyrë të qëndrueshme dhe të barabartë, duke lënë pas përvojat e mëparshme negative. Përfaqësues të kësaj Dhome pohojnë se klima e biznesit po përmirësohet hap pas hapi, por ka mundësi të rregullohet akoma më shumë. Sipas tyre, ato biznese, që po marrin nga qeveria detyrimet e prapambetura, po projektojnë zgjerimin e veprimtarisë prodhuese.

Dhoma Amerikane e Tregtisë zhvilloi një diskutim me përfaqësues të ministrisë së financave për të shqyrtuar projekt-ligjin mbi taksën e vlerës së shtuar. Presidenti i Dhomës Amerikane, Mark Crawford thotë se “klima e biznesit po përmirësohet hap pas hapi gjatë gjithë kohës. Por ka mundësi që të përmirësohet akoma më shpejt. Ftesa më e mirë për invetitorët e huaj është që atyre t'u tregohet se vendi ka qëndrueshmëri në zbatimin e ligjit. Sa më qartë dhe sa më thjesht aq më mirë për të gjithë”.

Sipas zotit Crawford, “disa nga anëtarët e Dhomës Amerikane të Tregtisë kanë marrë nga qeveria e re detyrimet e prapambetura për investimet publike nga vitet e mëpardhme; të tjerë pritet t'i marrin dhe të gjithë po studiojnë mundësinë që t'i riinvestojnë ato para për të zmadhuar bizneset e tyre”.


Bizmenë anëtarë të dhomës amerikane diskutuan për mëse dy orë me zv.ministrin e financave dhe drejtues të tatimeve të Tiranës mbi problemet që hasin në punën e përditshme dhe rregullimin e ligjeve apo urdhërave për të shmangur evazionin fiskal, klientelizmin dhe korrupsionin. Ata kërkuan që ligji të ketë qëndrueshmëri dhe barazi në zbatim.

Qeveria nga ana e saj po përpiqet të shtojë transparencën dhe dialogun me qarqet e biznesit, për të rritur ekonominë dhe shkallën e zbatimit të ligjit. Zëvendës ministri i financave, Ervin Mete, thotë se ligji mbi taksën e vlerës së shtuar po përshtatet me standartet e Bashkimit Europian, në një version të plotë e bashkëkohor, sepse ligji ekzistues ishte ndryshuar mbi 30 herë.

Ndërsa kryetarja e komitetit të taksave dhe ligjeve në Dhomën Amerikane, Ardiana Shehi, thotë se është përmirësuar ndjeshëm komunikimi me administratën tatimore dhe po zgjidhen disa prej problemeve të mbledhura në vite si rimbursimi i tvsh-së dhe kryerja e kontrolleve tatimore, por zbatimi i qëndrueshëm i ligjeve mbetet sfida kryesore.

Dhoma Amerikane e Tregëtisë me 200 anëtarët e saj si dhe organizata të ngjashme në komunitetin e biznesit po shtojnë përpjekjet për të kapërcyer situatën e vështirë ekonomike të vitit të fundit. Përfaqësues të biznesit po shfaqin një optimizëm të matur se kushtet e punës po përmirësohen, dhe se ata po projektojnë zmadhim të firmave të tyre prodhuese.

XS
SM
MD
LG