Lidhje

Dhoma e Përfaqësuesve dënon shtypjen e protestave në Iran


Dhoma e Përfaqësuesve në Kongresin amerikan ka miratuar një rezolutë që dënon udhëheqjen iraniane për shtypjen e protestave të fundit. Votimi vjen vetëm disa ditë para një afati 60 ditor që Kongresi që të shqyrtojë vendimin e Presidentit Trump për të mos çertifikuar marrëveshjen bërthamore me Iranin të vitit 2015.

Protestat janë fashitur .... por populli i Iranit nuk është lënë në harresë. Ky mesazh vjen nga Kongresi amerikan ndërsa ligjvënësit dënuan shtypjen e protestave nga regjimi iranian.

“Pas miratimit të kësaj rezolute ne shprehemi se Amerika qëndron përkrah popullit iranian”, tha ligjvënësi republikan Ed Royce.

Pak orë para votimit udhëheqja iraniane protestoi. Ayatollah Khamenei shkroi në Twitter se “Irani e njeh popullin e tij më mirë se Amerika dhe se Presidenti Trump, i cili ka bërë komente gjatë protestave.”

Ligjvënësit amerikanë thonë se ky nuk është qëllimi i rezolutës apo i një rezolute të ngjashme që së shpejti do të votohet në Senat.

“Populli iranian nuk është objekt i sanksioneve amerikane. Sanksionet godasin regjimin shtypës dhe destabilizues e jo popullin iranian”, tha ligjvënësi Royce.

Votimi vjen në një pikë kyçe. Në tetor Presidenti Trump nuk përfilli marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 të negociuar nga administrata Obama dhe nuk pranoi ta ri-çetifikonte atë, duke vënë kushte të reja.

“Ky president dhe kjo administratë janë absolutisht të angazhuara ndaj fuqisë së plotë ekonomike të Shteteve të Bashkuara dhe sanksioneve ekonomike ndaj Iranit. Po punojmë me Kongresin për të arritur një marrëveshje të re, një sërë kushtesh të reja për sanksionet tani e tutje”, tha Zëvendës Presidenti Mike Pence.

Protestat vetëm sa po shtojnë nevojën urgjente për një vendim mbi marrëveshjes, ndërsa këtë javë hapet afati i shqyrtimit nga Kongresi.

“Kam patur takime me përfaqësues të administratës lidhur me çertifikimin dhe çështje të heqjes dorë nga mënyra se si Kongresi mund të jetë i dobishëm nëse ne nuk bëjmë asgjë që do të shkelte marrëveshjen bërthamore dhe që ne të punojmë nga afër me partnerët evropianë”, thotë senatori demokrat Ben Cardin.

Ndërsa duket se protestat kanë rënë, një analist thotë se ndikimi do të jetë afatgjatë.

“Kjo do të ketë një efekt, pra regjimi nuk do të jetë më aq i sigurtë si më parë, nuk do të ketë mbështetjen që ka patur”, thotë Patric Clawson në Institutin për Politikat e Lindjes së Afërme.

Kjo është një tjetër arsye për gjetjen e një gjuhe të përbashkët.

“Ligjënësit janë të ndarë për marrëveshjen bërthamore me Iranin por jemi të bashkuar në faktin që Republika Islamike e Iranit nuk është aleate e Shteteve të Bashkuara. Ligjvënësit e dy krahëve kurrë nuk kanë mbyllyr sytë përballë shkeljeve ekstreme të të drejtave të njeriut thjesht për shkak të marrëveshjes bërthamore,” thotë ligjvënësi demokrat Brad Sherman.

Afati për shqyrtimin e marrëveshjes nga Kongresi përfundon në muajin mars.

XS
SM
MD
LG