Lidhje

Kriza ekonomike renditet si shkak për dhunën në familje


Nënat nuk kanë pavarësi financiare dhe kjo i bën ato të dobëta përballë burrave që abuzojnë mbi to dhe mbi fëmijët

Opinioni publik në Shqipëri u trondit sot nga një tjetër akt dhune në famijet shqiptare. Një vajzë e re vetëm 18 vjeç qëlloi me armë zjarri dhe vrau kunatin e motrës, Fiqiri Muça, i cili, sipas saj, përpiqej ta trafikonte për prostitucion jashtë vendit.

Sipas të dhënave nga familjarë të vajzës, 50-vjeçari nga Burreli mësohet se ishte i martuar dhe kishte një familje me 6 fëmijë, megjithatë kjo nuk e pengonte që të shkonte në Kërrabë, një fshat në periferi të Tiranës dhe duke shfrytëzuar lidhjet familjare me të miturën, ushtronte dhunë e presione, duke e ndarë edhe nga i fejuari dhe nga familja.



Kjo ngjarje e rëndë i shtohet listës së gjatë të dhunës në familjet shqiptare. Pak ditë më parë një bari në Kukës vrau me armë zjarri vajzën e vet të mitur, teksa largohej nga stani për të mos jetuar më nën diktatin e tij. Një tjetër burrë i dehur vrau me thika gruan pas dyshimeve për xhelozi në Tiranë, dhe pak ditë më parë një nip vrau xhaxhanë për kufirin e pronës në Ballsh. Dhe kështu mund të bëhej një listë edhe më e gjatë me krime të shëmtuara brenda familjes, të cilat nisin me grindje të vogla dhe përfundojnë me vrasje.

Studiuesi i njohur i psikologjisë, Adem Tamo, thotë se në dhunën brenda familjes nuk ka asnjëherë vetëm një shkak, por ka një grup faktorësh që sjellin dhunë si pasojë të fundit në një shoqëri që po urbanizohet me shpejtësi, duke braktisur zonat e largëta. “Ne jemi një shoqëri që po urbanizohemi me shpejtësi. Në zonat e urbanizuara njerëzve u duhen plotësuar nevojat për një jetesë të rregullt. Tani shumica e njerëzve janë përreth Tiranës dhe duhet t’i kemi të skanuara të gjitha gjërat. Nuk them për një fshat të largët të izoluar nga gjeografia, por njerëzit që jetojnë në mes të Tiranës, Durrës, Krujë apo Lezhë duhet të jenë një popullsi e skanuar. Nuk jemi shumë, jemi një popull i vogël” - tha ai.

Organizatat joqeveritare dhe analistët e pavarur pohojnë se dhuna në familje sa vjen e rritet, kryesisht për shkak të shtypjes së femrave. Nënat nuk kanë pavarësi financiare dhe kjo i bën ata të dobëta përballë burrave që abuzojnë mbi to dhe mbi fëmijët. Ndër shkaqet kryesore janë edhe grindjet për pronat, krahas papunësisë dhe mungesës së shkollimit. Zoti Tamo thoë se në kompleksin e faktorëve nga buron dhuna është shtuar sivjet edhe kriza ekonomike. “Nuk është e lehtë të kesh detyrime ekonomike në familje dhe të mos mundesh dot t’i plotësosh. Kriza financiare e viteve nuk është një gjë e thtjeshtë për ata që kanë barrën të mbajnë shtëpinë. Brenda këtij faktori të krizës ekonomike përfshijnë edhe shumë mikrofaktorë të tjerë që acarrojnë njerëzit në vetvete” - thotë ai.

Sipas profesor Ademit, një rol të madh në zgjidhjen e konflikteve të komunitetit dhe të familjes duhet të luajnë edhe punonjësit socialë, të cilët ende nuk janë vendosur pranë pushtetit vendor.

“Një nga përpjekjet që e shoh të mundur për të sjellë përmirësime është që të futet punonjësi social si agjent social në bashki dhe komuna dhe të krehë territorin, të njohë nevojat e komuniteteve të caktuara dhe të bëjë sugjerime të caktuara dhe kjo nuk ndodh. Punonjësit socialë nuk janë vetëm për shkollat brenda unazës së Tiranës, as për të mbijetuar në disa tryza të rrumbullakëta që organizohen në kryeqytet. Ata janë për komunitetet dhe duhet të jenë atje. Për mua, ata duhet të jenë atje” - thotë zoti Tamo.

Shtypi vendas është gjithë kohës i mbushur dhe u kushton titujt e mëdhenj në faqet e para krimeve të rënda dhe dhunës në familje. Por përveç lajmit të përditshëm dhe ndonjë analize mbi dukurinë, nuk shihen më tej të tjera lëvizje nga shteti dhe shoqëria civile për të mbrojtur viktimat, të cilat në shumicën e rasteve janë nënat dhe fëmijët.
XS
SM
MD
LG