Lidhje

Dhuna ndaj grave në Shqipëri fshihet pas privatësisë familjare


Sot është Dita Ndërkombëtare e Eliminimit të Dhunës kundër Grave.

Në Shqipëri organizatat e shoqërisë civile nisën një veprimtarish ndërgjegjësuese për të frenuar këtë dukuri mbizotëruese.

Aktivizmi dyjavor kundër dhunës me bazë gjinore, nisi ndërkohë që një tjetër nënë humbi jetën në një fshat të Kavajës e goditur me thika nga bashkëshorti.

Eliminimi i dhunës ndaj grave
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:11 0:00

Gjykata e Krimeve të rënda vendosi sot të lërë në burg Sami Metushin për vrasjen e bashkëshortes së tij Sose Metushi në fshatin Karpen të Kavajës. Ai i mori jetën pas disa goditjeve me thika nënës së 5 fëmijëve të ciftit, për grindje të rëndomta shtëpiake, duke tronditur rëndë opinionin publik me këtë ngjarje tragjike.

“Gjendja është vërtet e rëndë dhe masat e deritanishme janë të pamjaftuedhme, si nga gjykata, policia dhe organizatat e të drejtave njerëzore. Një tjetër zonjë humbi jetën në Kavajën dy ditë më parë dhe një mori rastesh dhune regjistrohen në të gjithë vendin” – tha Fabiola Egro, nga Rrjeti i Qendrave Komunitare “Sot për të ardhmen”.

Bujku nga Kavaja goditi bashkëshorten me thika, ndërsa fëmijët e shtangur në oborr mbetën jetima për një minutë dhune tragjike të babait ndaj nënës së tyre, e cila mbante familjen dhe kujdesej për të ta. Pendesa dhe tronditja e rëndë psikologjike nuk kthen më në jetë bashkëshorten dhe as shton kujdesin për 5 fëmijët e mbetur tani pa asnjë mbrojtje, edhe me probleme të ngjashme sociale.

“Vrasjet janë pjesa më tragjike e një dhune të fshehur gjithandej në familjet shqiptare. Ato nisin zakonisht me gjeste të vogla dhune e diskriminimi dhe përfundojnë shumë keq. Edukimi dhe ndërgjegjësimi duhet të nisë në mosha sa më të vogla” – tha Ines Xhelilaj, nga Rrjeti i Fuqizimit të Gruas.

Dhuna në familjet shqiptare është e përhapur në fshat dhe në qytet, në të gjitha shtresat dhe profesionet. Pak kohë më parë një gjyqtare humbi jetën nga plumbat e revolverit të ish-bashkëshortit pasi doli nga burgimi i shkurtër po për dhunë.

Ai e priti gjyqtaren pranë parkimit të makinës dhe shtiu kundër saj pas një historie të gjatë dhune mes tyre, një vrasje e pritshme dhe e paralajmëruar nga vetë gjyqtarja e ndjerë.

“Pjesa më e vështirë e dhunës në familje është se ajo fshihet pas privatësisë së familjes. Nuk është e lehtë të përfshihesh në këto konflikte që mbyllen pas derës së banesës. Sa më shumë të flitet për to dhe sa më shumë të hapet familja për to aq më mirë do të jetë” – tha Erjona Mulellari nga Aleanca Gjinore për Zhvillim.

Organizatat e grave nisën sot një seri veprimtarish dyjavore ndërgjegjësuese në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës kundër Grave, që po rrëmben jetë grash e vazjash shqiptare çdo muaj.

Veprimtaritë po zhvillohen në kryeqytet dhe në periferi problematike si këneta e Durrësit dhe zona të tilla të largëta, ku dhuna ndaj grave vazhdon të mbahet e fshehur.

Shqipëria po zhvillon dy javë ndërgjegjësimi për të ndaluar dhunën ndaj grave, për më shumë punë, demokraci dhe të drejta njerëzore në shoqëri. Dhuna në familje ka mbërthyer shoqërinë shqiptare.

Sipas sociologëve, në krimin në familje kanë ndikuar një sërë faktorësh si ato ekonomiko shoqërorë, kushtet e banimit, papunësia dhe emigracioni. Gjatë këtij viti gjykatat trajtuan 2100 çështje penale, nga të cilat mbi 1/3 janë për dhunë ndaj grave.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG