Lidhje

Tiranë: Rezolutë kundër dhunës në familje


Parlamenti në Tiranë shqyrtoi në mbrëmje një rezolutë për dënimin e dhunës në familje, marrjen e masave urgjente ligjore për parandalimin e saj.

Deputetët shprehën shqetësim të madh për shtimin e krimeve brenda familjeve, si dhe për mosmbrojtjen e viktimave.

Parlamenti dënoi dhunën në familje dhe krimet brenda saj, duke i vlerësuar si akte kriminale, që cënojnë bazat e shoqërisë.

Brenda 15 ditëve pritet të formohet një komision i posaçëm për parandalimin dhe reduktimin e dhunës në familje me mjete të reja ligjore.

Parlamenti mbështet dhe viktimat e dhunës në familje që të denoncojnë dhunën, si dhe të bashkëpunojnë me organet kompetente, duke i siguruar per mbikëqyrje të fortë parlamentare dhe trajtim të gjithë denoncimeve për dhunë në familje.

Pranë komisionit parlamentar për çështjet sociale do të ngrihet një nënkomision i përhershem për parandalimin dhe mbrojtjen ndaj dhunës në familje.

Ai do të informojë seancën plenare çdo 6 muaj mbi punën e institucioneve shtetërore dhe masat shtesë për parandalimin, reduktimin dhe mbrojtjen ndaj dhunës në familje. Brenda dy muajve qeveria duhet të paraqesë në parlament një analizë të plotë dhe një regjistër kombëtar për dhunën në familje.

Parlamenti vlerëson se një strukturë e vetme duhet të koordinojë veprimtarinë e të gjitha institucioneve shtetërore që parandalojnë apo reduktojnë dhunën në familje, si dhe mbrojnë se viktimat, sidomos fëmijët, gratë, të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuar.

Rezoluta kërkoi heqjen e mundësive që një dhunues i familjes të përfitojë nga amnistitë apo lehtësira pasi dënohet nga gjykata.

Deputetët kërkuan rishikimin e masave mbrojtëse ndaj dhunës në familje, të cilat janë ende aq të pakta sa shpesh dhunuesi dhe viktima bashkëjetojnë në të njëjtën banesë edhe pas vendosjes së mases së mbrojtjes nga gjykata.

Në serinë e masave të propozuara nga parlamenti u renditën ndihma financiare, punësimi, strehimi dhe shërbime mjekësore e sociale ndaj viktimave.

Deputetët kërkuan që policia të mbajë nën kontroll dhunuesit edhe me mjete elektronike, sepse ata rrezikojnë jetën e familjarëve.

Ndërsa gjykata, sipas tyre, duhet të lehtësojë nxjerrjen e urdhërave të mbrojtjes dhe mbylljen pa vonesa të procesit gjyqësor, pavarësisht tërheqjes së padive nga ana e viktimave të dhunës në familje.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG