Lidhje

Diabeti në Britani


Britania po shkon drejt krizës së diabetit, sëmundje aq e përhapur sa që trajtimi i pacientëve mund të falimentojë buxhetin shëndetësor të vendit, sipas shoqatës britanike të bamirësisë për diabetikët. Sipas shoqatës, më shumë se 3.3 milion njerëz jetojnë me këtë sëmundje në Angli, Uells, Skoci dhe Irlandën e veriut, një rritje 60 për qind në dhjetë vjet.

Ushrimet fizike shënuan një pikë kthesë në jetën e Raga D'Silvës. Tre vjet më parë D'Silva u diagnostikua me diabet të tipit 2. Mjekët i thanë se kishte tre vjet për të jetuar. Ajo kishte parë se si sëmundja shkaktoi vdekjen e nënës së saj. Një ndryshim në dietë dhe përkushtim në një mënyrë jetese më aktive bënë që ajo të jetojë përtej parashikimit të mjekëve. Diabeti i D'Silvas është tani në rënie dhe ajo ndjehet shumë herë më mirë se më parë.

Ky grup për ushtrime fizike quhet: "Përdore për ta humbur", dhe ka më shumë se dyqind anëtarë. Ata përdorin valle indiane, si dhe shkëmbejnë këshilla dhe receta të shëndetshme ushqimi. D'Silva thotë:

"Unë kam parë anëtarë të familjes, dhe njerëz shumë të afërt që kanë vdekur, dhe rashë në depresion të thellë, por vendosa ta ndryshojë jetën time dhe fillova të ha më mirë."

D'Silva ka rënë në peshë. Shoqata bamirëse e Diabetit thotë se miliona britanikë duhet të ndryshojnë dhe të jetojnë shëndetshëm dhe nxit edukim më të mirë shëndetësor.​

"Për pothuajse katër milion njerëz në Britani të cilët tashmë kanë diabet duhen mënyra më efektive të kujdesit shëndetësor," shpjegon Drejtorja ekzekutive Barbara Young.

Sipas shoqatës, diabeti është si bombë me sahat dhe mund të dëmtojë shërbimin shëndetësor që siguron kujdes themelor për të gjithë britanikët.

Shoqata parashikon që Britania të ketë rreth 5 milionë pacientë me diabet deri në vitin 2025. D'Silva e pranon se ajo filloi të veprojë vetëm kur humbi anëtarët e familjes së saj.

Të tjerët në grup kanë pasur përvoja të ngjashme. Njëra është nënë e një fëmije diabetik.

"Vajza ime u diagnostikua me diabet kur ishte e mitur, kështu që i vura detyrë vetes të bëhesha shembull kujdesi dhe humbjeje peshe për vete, për të edukuar vajzën time."

Ndryshe nga diabeti i tipit 1 që është i rëndë, shumë raste të diabetit të tipit 2 mund të parandalohen me ushtrime fizike dhe dietë të shëndetëshme.

XS
SM
MD
LG