Lidhje

Motrat regjisore Vilma dhe Greta Zenelaj


Pas realizimit të dy filmave me metrazh të gjatë, shqiptaro-amerikanet që e kanë nisur karrierën në Hollivud, po xhirojnë një film në Shkodër.

Pas realizimit të dy filmave me metrazh të gjatë, motrat shqiptaro-amerikane Vilma dhe Greta Zenelaj, të cilat kanë nisur karrierën e tyre në fushën e realizimit të filmave në Hollivud, prej disa ditësh gjenden në qytetin e Shkodrës, ku kanë nisur xhirimet për një film të ri, i cili, siç thonë ato, ka në qendër një histori shqiptare, e cila zhvillohet mes Shqipërisë dhe Amerikës.

Filmi nis në fillimet e viteve 90’ me ngjarjet e 2 Prillit në Shkodër, ngjarje që shënojnë edhe rrëzimin e diktaturës komuniste në Shqipëri dhe që, sipas Vilmës, ende nuk janë trajtuar nga regjisorët shqiptarë.

Është një histori që sigurisht duhet trajtuar sepse ka një ndryshim shumë të madh nga komunizmi në demokraci. Pikërisht sepse nuk është trajtuar nga asnjë regjisor shqiptar, unë kisha shumë dëshirë ta vija në skenë. Kjo, edhe pse jam shkodrane dhe 2 Prilli ishte si thelbi i prishjes së komunizmit.
Filmi nuk është për 2 Prillin, por është vetëm hapja e historisë. Është me një protagoniste që, pas 2 Prillit, shkon në Amerikë dhe jeta e saj në emigrim nuk është fushë me lule, por, si çdo vend tjetër, ka probleme, pavarësisht nëse është në komunizëm apo në demokraci, Sigurisht, asnjë vend nuk është perfekt.

Producentja e filmit, Greta, luan edhe rolin kryesor, atë të Helenës. Ajo thotë se filmi i tyre i ri mbështetet në një ngjarje reale dhe të përjetuar prej vetë atyre.

Është bazuar në ngjarje që i kemi para me sytë tanë si demonstrata e 2 Prillit. Unë kam qenë në shkollën Jordan Misja dhe kam qenë një nga studentet që është goditur me shkop gome në këtë demonstratë. Dhe, përsa i përket pjesës tjetër në Amerikë, është pjesë e përvojës tonë që e kemi parë vetë; si e kemi menduar Amerikën dhe si është në të vërtet, përpjekjet për të marrë dokumentet, opinionet e njerëzve, sa e vështirë është të zësh një vend pune, pra gjëra të tilla që i kemi përjetu vetë.

Të suksesshme në disa festivale ndërkombëtare, motrat Zenelaj thonë se kanë dëshirë të tregojnë histori shqiptare përmes gjuhës filmike.

Unë dhe Greta kemi shkruar historinë e filmit. Sigurisht që ne i shkruajmë historitë tona vetë dhe kjo ngaqë kemi dëshirë për të treguar histori shqiptare.
Mesazhi është që me tregu se si ne shqiptarët jemi të pasur shpirtërisht, por të varfër ekonomikisht. Por prap bota duhet ta dijë se ne jemi njerëz si gjithë të tjerët dhe që kërkojmë më të mirën për jetën dhe të ardhmen tonë. Ndërkohë, ne duam të tregojmë se si është jeta atje në Amerikë dhe si e imagjinojmë ne shqiptarët këtu në Shqipëri.

Filmi i ri i motrave shqiptaro-amerikane Zenelaj po xhirohet fillimisht në Shqipëri për të vazhduar më pas në Miçigan të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
XS
SM
MD
LG