Lidhje

Festa e Falenderimeve, e vërteta dhe miti


Në vjeshtën e vitit 1621, pelegrinët festuan të korrat e para të suksesshme duke qëlluar me armë dhe topa në Plymouth, Massachusetts. Zhurma e armëve alarmoi banorëve autoktonë, paraardhës të fisit të sotëm Wampanoag, të cilët shkuan për të parë se ç’kishte ndodhur. [[https://mashpeewampanoagtribe-nsn.gov/]]

Në këtë mënyrë, vendasit u bënë të pranishëm në festën e parë të Falënderimeve, thotë Ramona Peters, zyrtare e muzeut historik të Fshatit Mashpee Wampanoag, e cila aludon se pikturat që përcjellin një moment festimesh ku amerikanët vendas janë ulur para një tryeze me ushqime bollshme dhe në harmoni me të sapo-ardhurit nga Evropa, janë në thelb një gënjeshtër.

"Burrat e fisit Wampanoag, nuk ishin të sigurtë se çfarë u ishte thënë ishte në fakt e vërtetë, kështu që qëndruan për disa ditë. Ata fushuan jashtë," thotë Ramona Peters. "Pra, pati shumë tension, të gjithë këta burra, luftëtarë, ishin pranë, në pyll".

Ndërkohë që fisi Wampanoag mund të kishin shkëmbyer ushqime me pelegrinët gjatë kësaj mbrëmbjeje, ata gjithashtu gjuanin për ushqim.

Ushqimet që u shtruan në darkën e parë të Falenderimeve ishin ndryshe nga gjeli i detit, patate të skuqur dhe misra të ziera dhe shumë të tjera, sipas ekspertëve në plantacionin Plymoth. [[https://www.plimoth.org/]]


"Ne dimë se kishte plot gjela të egër në Koloninë e Plymouthit, por nuk dimë me siguri nëse u shërbyen në atë darkë", thotë përmes emailit për Zërin e Amerikës, Kate Sheehan e Plantacionit Plymuth. "Ka mundësi, megjithatë, që kishte edhe ushqime të tjera si midhje, peshq e ngjala”, thotë ajo.


Plantacioni Plymoth përpiqet të rikrijojë vendbanimin origjinal të kolonëve anglezë në shekullin e 17-të dhe jep supozime se çfarë ushqimesh mund ishin shtruar në tryezën e Falënderimeve të para në Amerikë.

"Kopshtet angleze prodhojnë lakra, karrota, tranguj, turnip, panxhar, qepë, rrepka, marule dhe spinaq, si dhe majdanoz, borzilok, kopër, etj.", thotë Kate Sheehan. "Gratë wampanoag dhe angleze gjithashtu kultivonin fasule dhe kunguj".

Ushqime të tjera në atë periudhë të vitit përfshinin argjinoret, qepët e egra, hudhrat, rrushin, arrat dhe gështenjat.

"Banorët vendas gjithashtu thanin fruta për t’i ngrënë më vonë dhe i ruanin ato për përdorim gjatë gjithë vitit," thotë Kate Sheehan.

Megjithëse amerikanët tani e festojnë Ditën e Falënderimeve të enjten e katërt të nëntorit, historianët nuk mund ta përcaktojnë datën e saktë të Falënderimeve të para.

"Ne e dimë se u zhvillua për tre ditë diku midis mesit të shtatorit dhe fillimit të nëntorit të vitit 1621 dhe u konsiderua si një festë e korrjes pas një mbjelljeje të suksesshme të misrit", thotë zyrtarja e muzeut në plantacionin Plymoth.

Në vitin 1863, gjatë Luftës Civile, Dita e Falënderimeve u bë një festë kombëtare. Presidenti Abraham Lincoln nxiti idenë për një Ditë Falenderimesh për arsye strategjike.

Një grua me emrin Sarah Josepha Hale, redaktore e një reviste për gratë, ndikoi për të bindur presidentin Lincoln se një festë kombëtare për dhënien e Falenderimeve do të ndihmonte të bashkonte vendin e dërrmuar nga lufta.

"Ishte një lëvizje sociale-politike që përpiqej të bashkonte Veriun dhe Jugun pas Luftës Civile duke shënuar këtë festë kombëtare", thotë Ramona Peters e fisit Wampanoag. "Ishte ideja e tyre për të pasur këtë festë kombëtare për të shprehur falenderime dhe popullariteti i saj u rrit me kalimin e kohës, por në të vërtetë ishte një lëvizje shumë e zgjuar për të krijuar diçka për të bashkuar familjet. Në Luftën Civile shumë familje u përçanë, vëllai u ngrit kundër vëllait. »

Sot, trashëgimtarët e banorëve autoktonë të Amerikës e shënojnë ditën e Falenderimeve në mënyra të ndryshme. Disa e konsiderojnë atë një ditë zie duke pasur parasysh kolonizimin e shpejtë dhe zhvendosjen e tyre. Të tjerë mblidhen me familje, por pa patur në mendje pelegrinët.

Ramona Peters thotë se banorët vendas festojnë një numër ditësh falënderimi gjatë gjithë vitit. Ata kanë shumë gjëra për të falenderuar. Falënderimi është një pjesë e madhe e jetës shpirtërore të anëtarëve të fisit Wampanoag, shton ajo.

Fisi, i njohur edhe si "Njerëzit e Dritës së Parë", ka një numër arsyesh për të falenderuar këtë vit.

"Në nivel fisnor, ne kemi një kretar fisi i cili është 98 vjeç dhe do të shprehim falenderime që ai ende është mes nesh dhe që dëshiron të na udhëheqë sipas traditës", thotë Ramona Peters. "Ne do të jemi mirënjohës për tokën që është në kujdesin tonë, për foshnjat e porsalindura në fisin tonë. Ne jetojmë pranë oqeanit, kështu që ne jemi Njerëzit e Dritës së Parë, prandaj do t’i përcjellim falenderime edhe gjirit të oqeanit ku jetojmë”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG