Ndërsa janë shtuar shqetësimet për gjendjen e refugjatëve sirianë, dy dokumentarë të realizuar kohët e fundit hedhin dritë mbi vështirësitë që po përjetojnë ata dhe me çfarë syri shihen nga bota përreth. Filmi i Apo Bazidit "Kobane, Resistance is Life"-"Kobani, rezistenca është jetë", na sjell një kronikë nga rrethimi i qytetit Koban, me shumicën e popullsisë kurd, në Sirinë veriore. Militantët e shtetit islamik e morën kontrollin e këtij qyteti në vitin 2014, duke i kthyer banorët e tij në refugjatë. Ndërsa dokumentari i Tonislav Hristovit "The Good Postman" - "Postjeri i mirë", e zhvillon ngjarjen tek një fshat bullgar, ku "pleqtë" e fshatit që është drejt zhdukjes, debatojnë se ç'duhet bërë me refugjatët që shkojnë atje nga Turqia.
Në verën e vitit 2014, Shteti Islamik filloi një prej sulmeve më të dhunshme në shkallë të gjerë në qytetin Koban, me shumicë kurde, në kufirin mes Sirisë dhe Turqisë. Burrat dhe gratë e këtij qyteti bënë rezistencë për 6 muaj. Gjatë rrethimit, mijëra njerëz shkuan në Turqi. Mes tyre, një familje me 5 anëtarë, u vendosën në një kamp refugjatësh në qytetin Suruc të Turqisë.
"Nuk dija se si do të shpëtonin fëmijët e mi."
Evlina 8-vjeçare është fëmija më i madh i familjes.
“Po mësoj të shkruaj dhe të lexoj. Dua të mësoj, pa mësuar nuk mund të bësh asgjë."
Evlina, një fëmijë e zgjuar dhe tërheqëse, është personazhi kryesor i dokumentarit, që trajton temën e mbijetesës së popullsisë së Kobanit.
"Marr foto që tregojnë dhimbjen rreth meje".
Dokumentari i Apo Bazidit "Resistance is Life" tregon historinë e lufëtarëve kurdë, burra dhe gra, që luftojnë për ta nxjerrë Shtetin Islamik jashtë qytetit të tyre, Kobanit. Por qyteti është shndërruar në gërmadhë.
Shumë banorë janë kthyer tek shtëpitë e tyre të shkatërruara, por dhjetra mijëra, përfshirë edhe Evlinën dhe familjen e saj, kanë mbetur në kampin e refugjatëve. Kërcënimi nga ekstremistët shihet qartë në rajon dhe jeta është ende larg normalitetit. Dokumentari është një kujtesë se këta njerëz kanë nevojë për ndihmë.
Edhe dokumentari i Tonislav Hristovit “The Good Postman”, "Postjeri i mirë", trajton çështjen e refugjatëve, por nga këndvështrimi i europianëve, me një sens ironie.
"Shokë, unë dua internet për të gjithë!"
Ndërsa fushata elektorale për kryetar bashkie në një fshat bullgar që po shkon drejt zhdukjes, është në kulmin e saj, debati lidhur me refugjatët sirianë, të cilët kalojnë kufirin në mënyrë të paligjshme, intensifikohet.
Një kandidat populist, është në fakt një i papunë dhe një tip i veçantë revolucionari; ai ka nostalgji për kohën e komunizmit dhe është një personazh, që personifikon idetë e socializmin utopik të përzjera me fanatizmin dhe ksenofobinë."
"Nuk dua refugjatë në fshatin tim".
Por Ivani, kandidati liberal, që punon si postjer, ofron një alternativë të ndryshme. "Le t'i lejojmë refugjatët në fshat dhe ta rigjallërojmë fshatin", - thotë ai.
"Unë do të sjell njerëz nga Siria. Ata do të jetojnë këtu dhe jeta në fshat do të rigjallërohet." - thuhet në film.
Kaarle Aho, producent i dokumentarit, thotë se fshati bullgar është një paqsyrim i botës së Perëndimit.
“Nuk ka nevojë të shkoni në një fshat të vogël bullgar për të zbuluar këto karaktere. Të njëjtit lloj politikanësh i gjen në Finlandë, apo Suedi, e kudo në Europë."
"The Good Postman" është sa i dhimbshëm, aq edhe për të qeshur, një satirë e mprehtë e botës ku ne jetojmë.
Facebook Forum