Lidhje

Donald Trump në garë për një mandat të dytë presidencial


Presidenti Trump filloi zyrtarisht fushatën e tij të rizgjedhjes në qershor të vitit 2019 në Orlando të Floridës.

Donald J. Trump, Presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara dhe presidenti i tretë amerikan ndaj të cilit janë ngritur akuza për shkarkim nga Dhoma e Përfaqësuesve, por më pas Senati e liroi atë nga akuza, është në kërkim të një mandati të dytë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Presidenti Trump filloi zyrtarisht fushatën e tij të rizgjedhjes në qershor të vitit 2019 në Orlando të Floridës, duke zbuluar sloganin, "Mbajeni Amerikën të Madhe", një variant i sloganit të tij të zgjedhjeve të vitit 2016 "Bëjeni Amerikën të Madhe Përsëri". Ai u tha mbështetësve, "Ne e bëmë atë një herë dhe tani do ta bëjmë përsëri, dhe këtë herë do ta përfundojmë punën".

Arritjet e mëparshme

Para se të bëhej president, Donald Trump ishte një investitor i spikatur dhe i debatueshëm i pasurive të patundshme në Nju Jork dhe personalitet televiziv. Menjëherë pasi u diplomua nga Fakulteti i Financave i Universitetit Wharton në Pensilvani, ai mori përsipër biznesin e pasurive të patundshme të familjes së tij, duke e zgjeruar atë dhe duke ndërtuar hotele, kazino dhe fusha golfi në të gjithë botën. Në fillim të viteve 1990, Trump u detyrua të paraqiste disa falimentime që përfshinin prona në Atlantic City dhe Nju Jork. Megjithatë, ai më vonë rindërtoi bizneset e tij dhe, në vitin 2016, revista Forbes vlerësoi pasurinë e tij në 3.7 miliardë dollarë.

Në vitin 2004, Trump u bë një figurë gjerësisht e njohur mediatike për interpretimin e personazhit kryesor në shfaqjen televizive "The Apprentice", e cila pati një shikueshmëri të lartë në kanalin NBC. Ai u largua nga shfaqja në vitin 2015 ndërsa përgatitej të kandidonte për president.

Në pjesën më të madhe të kohës si yll televiziv, ai qëndroi i përfshirë në politikën kombëtare të Shteteve të Bashkuara si një nga nxitësit kryesorë të të ashtuquajturit komplot i 'vendit të lindjes', një teori që pretendonte në mënyrë të rreme se Presidenti i atëhershëm Barack Obama nuk kishte lindur në Shtetet e Bashkuara.

Mandati Presidencial

Gjatë 3.5 viteve të tij në detyrë, Presidenti Trump ka miratuar një projekt-ligj të madh për reformën në sistemin të taksave, ka ulur numrin e trupave amerikane në Siri, dhe senati konfirmoi dy emërimet e tij për anëtarë të Gjykatës së Lartë, juristët konservatorë Neil Gorsuch dhe Brett Kavanaugh, për të plotësuar vendet bosh në gjykatën nëntë anëtarëshe. Ai gjithashtu arriti të siguronte miratimin e gati 200 gjyqtarëve të tjerë në gjykatat federale të nivelit më të ulët.

Emërimi i juristi Brett Kavanaugh ishte i debatueshëm dhe u shoqërua me tensione në seancat dëgjimore publike që u përqendruan në periudhën kur ai ishte i ri, pinte birrë, dhe pretendimet për sjellje të pahijshme seksuale. Në fund, Senati e miratoi me një shumicë të vogël kandidaturën e zotit Kavanaugh për anëtar të gjykatës më të lartë të vendit.

Presidenti Trump ka promovuar politika për të goditur imigrimin e paligjshëm, përfshirë miratimin e fondeve prej gati 1.4 miliardë dollarësh nga Kongresi për ndërtimin e një muri kufitar (megjithëse një shumë tepër e vogël krahasuar me atë që ai kërkoi) dhe shpalli gjendjen emergjente në kufirin me Meksikën për të përdorur 3.6 miliardë dollarë më shumë për ndërtimin e murit kufitar.

Presidenti ka mbajtur premtimet e fushatës për të zëvendësuar rregulloret qeveritare dhe për të shfuqizuar një pjesë të madhe të ligjit të kujdesit shëndetësor të ish Presidentit Barack Obama, i njohur gjerësisht si Obamacare. Ndërsa miliona amerikanë humbën vendet e tyre të punës dhe sigurimet shëndetësore kur pandemia e koronavirusit goditi të gjithë botën, përfshirë Shtetet e Bashkuara këtë vit, Presidenti Trump dorëzoi një apelim në Gjykatën e Lartë për të shfuqizuar në tërësi ligjin e kujdesit shëndetësor të ish presidentit Obama. Presidenti Trump shpesh ka shprehur pakënaqësinë e tij ndaj politikave të ish presidentit Obama, paraardhësit të tij demokrat.

Për tre vjet, Presidenti Trump udhëhoqi vendin në një bum ekonomik që përfshinte një shkallë papunësie që ra në vetëm 3.5 për qind, niveli më i ulët i papunësisë në pesë dekada, dhe indekset kryesore të aksioneve të vendit u rritën. Por ky sukses përfundoi pa paralajmërim pasi pandemia e koronavirusit u përhap nga Kina në të gjithë globin në fillim të vitit 2020, dhe Presidenti Trump shprehu skepticizëm të vazhdueshëm për pasojat që ajo mund të kishte në Shtetet e Bashkuara. Presidenti ndaloi udhëtimet nga Kina në fund të janarit në përpjekje për të mbrojtur Shtetet e Bashkuara, por shprehu dyshime mbi problemin që virusi mund të paraqiste për vendin.

Virusi u përhap në të 50 shtetet amerikane, duke shkaktuar mbyllje masive. Shumë shpejt vendi filloi të vuante edhe nga një katastrofë ekonomike. Presidenti Trump zhvilloi me javë të tëra konferenca të përditshme shtypi për koronavirusin, por shpesh nënvlerësonte ashpërsinë e Covid-19.

Ndërsa ekspertët e shëndetit u bënë thirrje amerikanëve të përdornin maskat për të kufizuar përhapjen e virusit, Presidenti Trump ka thënë se përdorimi i maskës është një zgjedhje personale, dhe nuk e përdori atë në publik deri në korrik.

Shkalla e papunësisë në Shtete e Bashkuara arriti nivelin 14.7 për qind në prill, pastaj ra në 11.1 për qind në qershor pasi ekonomia shtoi afro 5 milionë vende pune. Presidenti Trump tha se ekonomia amerikane do të shoh ditë më të mira në gjysmën e dytë të vitit 2020 dhe në vitin 2021.

Ndërsa koronavirusi po përhapej në të gjithë Shtetet e Bashkuara, vdekja nën arrest e afrikano-amerikanit George Floyd shkaktoi protesta mbarëkombëtare kundër mënyrës së trajtimit nga policia të afrikano-amerikanëve, dhe i dha njohje në nivel ndërkombëtar përpjekjeve të lëvizjes "Black Lives Matter" për të trajtuar racizmin sistematik.

Presidenti Trump dërgoi mesazhe të përziera për trazirat që pasuan, duke shprehur mbështetje për protestat paqësore, por gjithashtu duke thënë se thirrjet në rrugë "Black Lives Matter"(jetët e afrikano-amerikanëve kanë rëndësi) ishin një "simbol i urrejtjes". Ndërsa Shtetet e Bashkuara festonin 244-vjetorin e pavarësisë në fundjavën e 4 korrikut, Presidenti Trump i përshkroi protestuesit që kërkonin barazi racore si përfaqësues të "lig" të një "fashizmi të ri të majtë", qëllimi përfundimtar i të cilit është "fundi i Amerikës".

Ngjarjet në gjysmën e parë të vitit 2020 shkakuan pasiguri mbi fatin politik të Presidentit Trump, me sondazhe të shumta kombëtare që tregojnë se ai ka mbështetje më të vogël se sa ish-nënpresidenti Joe Biden, me një nivel rreth 9 për qind, katër muaj përpara zgjedhjeve presidenciale. Por vetëm dy presidentë amerikanë kanë humbur në përpjekjet për rizgjedhje në katër dekadat e fundit dhe mbështetësit e zotit Trump theksuan se ai ishte mbrapa edhe në sondazhet para zgjedhjeve të vitit 2016, kur ai papritur mposhti ish Sekretaren e Shtetit Hillary Klinton.

Politika e jashtme

Politika e jashtme e Presidentit Trump është përkufizuar nga axhenda e tij "Amerika e Para" në bazë të së cilës ai i ka vendosur ato që ai i konsideron si interesat e Amerikës mbi gjithçka tjetër. Ai u tërhoq nga disa marrëveshje ndërkombëtare, përfshirë marrëveshjen tregtare të Partneritetit Trans-Paqësor, marrëveshjen e Parisit për klimën dhe marrëveshjen bërthamore me Iranin. Në tregti, Presidenti Trump përmbushi një premtim fushate për të rinegociuar Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut me Kanadanë dhe Meksikën, ndërsa nisi një luftë tregtare me Kinën.

Ai vazhdimisht ka vënë në dyshim sasinë e parave që Shtetet e Bashkuara shpenzojnë për të mbrojtur vendet e tjera dhe ka kritikuar publikisht NATO-n, aleancën ushtarake perëndimore të krijuar pas Luftës së Dytë Botërore. Presidenti ka pasur një marrëdhënie të paqëndrueshme me shumë udhëheqës të huaj, përfshirë aleatët tradicional si ish-kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron, por përqafoi armiq të tillë historikë si presidentin rus Vladimir Putin dhe udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un. Presidenti Trump e quajti zotin Kim "njeri të vogël të raketave", por më vonë u takua me të në tre raste dhe deklaroi, "Ne kemi zhvilluar një marrëdhënie shumë të mirë."

Sfidat presidenciale

Presidenti Trump, përveç koronavirusit dhe krizës ekonomike të vitit 2020, është përballur edhe me sfida të mëdha si president, duke përfshirë një hetim të demokratëve mbi akuzat për kushtëzimin e ndihmës amerikane për Ukrainën në shkëmbim të informacioneve inkriminuese për ish-nënpresidentin Joe Biden dhe djalin e tij, Hunter Biden, që mund të dëmtonin perspektivën politike të ish-nënpresidentit Biden për të konkurruar në zgjedhjet presidenticiale të këtij viti në Shtetet e Bashkura.

Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga demokratët ngriti akuza për shkarkimin e Presidentit Trump në fund të vitit 2019, por Senati i kontrolluar nga republikanët e liroi atë nga akuzat në fillim të vitit 2020, me vetëm një senator republikan që votoi për ta dënuar dhe hequr atë nga detyra. Presidenti Trump gjithashtu u përball me një hetim gati dy-vjeçar të udhëhequr nga prokurori special Robert Mueller, i cili hetoi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016.

Raporti i përfundimtar i prokurorit Mueller zbuloi se fushata e zotit Trump nuk kishte bërë komplot me Rusinë për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016. Megjithatë, hetimi nuk arriti asnjë përfundim mbi atë nëse ndaj Presidentit Trump duhej të ngriheshin akuza për pengim të drejtësisë për rastet në të cilat ai mund të ketë provuar të pengonte hetimin e prokurorit Mueller.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG