Lidhje

Komiteti Olimpik reagon ndaj akuzave për doping


Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar Thomas Bach iu përgjigj akuzave se qindra atletë kanë qenë të përfshirë në doping. Sipas njoftimeve që dolën dje, shumë atletë që kanë fituar medalje mes viteve 2001 dhe 2012 kanë patur rezultate të dyshimta nga analizat e gjakut.

"Nëse ka raste që përfshijnë rezultatet në Lojërat Olimpike, Komiteti do të veprojë me zero tolerancë, siç është politika jonë e zakonshme, por deri tani kemi vetëm akuza dhe ne duhet të respektojmë pafajësinë e atletëve," tha Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar Thomas Bach.


Dje, pati njoftime se 146 medalje, duke përfshirë edhe 55 medalje ari, në Olimpiada dhe në Kampionate Botërorë nga viti 2001 deri më 2012 kanë qenë fituar nga atletë me rezultate të dyshimta të analizave të gjakut.

Radioja gjermane ARD dhe gazeta Sunday Times në Britani thanë se kanë qasje në 12.000 analiza gjaku të 5000 atletëve të Shoqatës Ndërkombëtare të Federatave të Atletikës.

Të dhënat tregojnë se më shumë se 800 atletë patën një ose më shumë rezultat "abnormal" të testimit. Presidenti i shoqatës ndërkombëtare të atletikës, Lamine Diack hodhi poshtë njoftimet duke i quajtur një fushatë për të rishpërndarë medaljet.


"Janë vetëm akuza, nuk ka prova. Ne do t’i shohim ato seriozisht, sepse të thuash se nga viti 2001 deri më 2012, ne nuk kemi bërë punë serioze me analizat është qesharake."

Sipas njoftimeve, atletët nga Rusia kishin rezultatet më të dyshimta, pasuar nga Ukraina, Maroku, Spanja, Kenia, Turqia dhe të tjerë.

Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Bach u tha gazetarëve në Kuala Lumpur të hënën se Komiteti Olimpik ka besim të plotë se Agjencia Botërore Anti-Doping do të kryejë një hetim të plotë të çështjes.

XS
SM
MD
LG