Lidhje

Grenell planifikon të tërhiqet si ambasador në Gjermani


Richard Grenell

Ambasadori amerikan në Gjermani, Richard Grenell, po planifikon të tërhiqet në javët e ardhshme pas më shumë se dy vjetësh në këtë post.

Njoftimi i dhënë fillimisht nga agjencia gjermane e lajmeve dpa, u konfirmua në twitter nga ambasadori Grenell. “E vërtetë”, shkroi shkurt ai rreth shkrimeve të sotme për largimin e tij nga posti ne Berlin.

Robin Quinville, zëvendës shefe e misionit në ambasadë, pritet të zëvendësojë përkohësisht zotin Grenell, tha agjencia dpa.

Njoftimi vjen vetëm pak ditë pasi Senati amerikan konfirmoi në postin e drejtorit të përhershëm të Inteligjencës Kombëtare ligjvënësin John Ratcliffe, i cili po ashtu si zoti Grenell është një aleat i fortë politik i Presidentit Donald Trump.

Në muajin shkurt, Presidenti Trump e emëroi 53-vjeçarin Grenell si drejtor të përkohshëm të Inteligjencës Kombëtare.

Agjencia e lajmeve Reuters tha se një zëdhënës i ambasadës nuk pranoi të komentojë rreth njoftimit. Ai tha se “është praktikë e ambasadës të mos komentojë mbi udhëtimet apo planet, por Ambasadori Grenell ka vazhduar të të jetë i angazhuar në mënyrë aktive në përparësitë e administratës në Gjermani ndërsa shërben si drejtor në detyrë i Inteligjencës Kombëtare".

Zoti Grenell është gjithashtu i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes mes Kosovës dhe Serbisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG