Lidhje

Dr. Fauci: SHBA do të marrë pjesë në nismën botërore për vaksinat


Dr. Anthony Fauci, director of the National Institute of Allergy and Infectious Diseases speaks via video link during the 148th session of the Executive Board on the coronavirus disease (COVID-19) outbreak in Geneva, Switzerland, Jan. 21, 2021.

Eksperti kryesor i sëmundjeve infektive në Shtetet e Bashkuara thotë se vendi do të marrë pjesë në nismën globale për të siguruar vaksinat COVID-19 për vendet e varfra.

Dr. Anthony Fauci, kreu i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive dhe këshilltari kryesor për shëndetësinë i Presidentit të ri të SHBA, Joe Biden, i tha të enjten bordit ekzekutiv të Organizatës Botërore të Shëndetësisë gjatë një video-konference se SHBA do t’i bashkohen nismës COVAX, një aleancë ndërkombëtare e drejtuar nga OBSH, Koalicioni i Novacioneve për Gatishmërinë Epidemike dhe Gavit, Aleancës së Vaksinave, një organizatë e themeluar nga Bill dhe Melinda Gates për të vaksinuar fëmijët në vendet më të varfra të botës.

Zoti Fauci tha gjithashtu se SHBA do të përmbushë detyrimet financiare ndaj agjencisë shëndetësore të Kombeve të Bashkuara dhe do të mbajë angazhimet e mëparshme për personelin e saj në këtë organizatë.

Komentet e tij vijnë një ditë pasi Presidenti Biden nënshkroi një urdhër në ditën e tij të parë në detyrë duke u zotuar të rivendoste lidhjet e Uashingtonit me OBSH-në.

Paraardhësi i zotit Biden, Donald Trump, njoftoi në muajin maj se po tërhiqte SHBA nga OBSH-ja, duke akuzuar agjencinë se kishte ndihmuar Kinën për të mbuluar shkallën e përhapjes së koronavirusit, i cili u zbulua për herë të parë në qytetin qendror të Uhanit në fund të vitit 2019.

"Kjo është një ditë e mirë për OBSH dhe një ditë e mirë për shëndetin global," tha Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus në përgjigje të njoftimit të Dr. Faucit.

Ndërkaq, nisma COVAX njoftoi të enjten se synon të japë 1.8 miliardë doza vaksine COVID-19 për vendet e varfra në 2021 dhe shpreson të përmbushë marrëveshjet e furnizimit për vendet më të pasura në gjysmën e dytë të vitit.

Bota është në garë me kohën për të prodhuar dhe shpërndarë miliarda doza të vaksinave të reja për të frenuar pandeminë, e cila ka sjellë vdekjen e mbi 2 milion njerëzve nga mbi 96.9 milion infeksione të konfirmuara, sipas Universitetit Johns Hopkins. Shtetet e Bashkuara kryesojnë botën në të dyja kategoritë me 406.147 vdekje nga një total prej 24.4 milion infektimesh.

Por përpjekjet e vaksinimit kanë hasur në vështirësi të shumta, si pengesat logjistike, dështimet burokratike dhe mungesën e vaksinave, e cila ka bërë që shumë amerikanë, kudo në SHBA të anulojnë takimet e planifikuara në klinika për të bërë imunizimin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG