Lidhje

Dr. Mollick, gati për vaksinën


Një person shquhet në sfondin e ambjentit të vaksinimit në Universitetin Spitalor Rutgers, në Nju Xhersi (15 dhjetor 2020)

Mjeku amerikan Larry Mollick ishte 6 vjeç kur bëri vaksinën e poliomelitit në vitin 1955. Tani, në moshën 72 vjeçare, mjeku në pension thotë se është gati të bëjë vaksinën e koronavirusit, që mund ta lejojë të kthehet në punë me kohë të pjesshme.

Në maj të vitit 1955, Larry Mollick ishte një nga fëmijët e parë në zonën e qytetit të Nju Jorkut që bënte vaksinën.

"Ishte viti 1955, maj i vitit 1955, dhe mua më përzgjodhën, nuk mbaj mend si dhe pse, por unë u përzgjodha si një nga dy fëmijët që do të na bënin vaksinën e poliomelitit. Ishte sasia e parë e vaksinës që pritej prej kohësh sepse poliomieliti ishte një epidemi e tmerrshme, veçanërisht për fëmijët e moshës time", tregon Dr. Mollick.

"Mbaj mend flashet e aparateve fotografike që më verbonin sytë, sepse kishin ardhur shumë gazetarë," kujton Dr. Mollick. "Ishte diçka me shumë rëndësi ashtu si edhe sot me vaksinën e koronavirusit."

Mjeku thotë se tani është gati të bëjë vaksinën e koronavirusit. Kështu ai mund të kthehet në punë si mjek, edhe pse jo me orar të plotë.

"Unë e bëra vaksinën e poliomielitit në një kohë kur mund të ishte edhe e rrezikshme ta bëje dhe, ja ku jam, 66 vjet më vonë, duke folur për atë kohë dhe për vaksinën tjetër. Dua ta marr sa më shpejt që të jetë e mundur," tha ai.

Dozat e para të vaksinës COVID-19, të prodhuara nga Pfizer dhe partneri i saj gjerman BioNTech, shkuan për ekipet mjekësore të vijës së parë. Maritza Beniquez, infermiere e urgjencës në Spitalin e Universitetit Rutgers të Nju Xhersit, e mori vaksinën në ditëlindjen e saj të 56-të.

Gjashtëdhjetë e gjashtë vjet më parë, Larry Mollick ishte mes fëmijëve që pritën me ceremoni sasitë e para të vaksinës që shkarkoheshin nga avioni në qytetin e Nju Jorkut.

Bashkë me të ishte edhe një vajzë me patericë në këmbë. Ajo ishte prekur nga poliomieliti që në moshën dy vjeçare.

Mjeku i gjeti fotografitë e vjetra që i mbante në shtëpi dhe tha se do të ishte ide e mirë t’i bënte ato publike.

"Thashë me vete, ndoshta mund të bëj një të mirë duke u treguar njerëzve se isha ndër të parët që mora një vaksinë ekperimentale, atë të poliomelitit dhe t'u them se jam i gatshëm ta bëj përsëri me vaksinën e koronavirusit, nëse dikush më jep këtë mundësi. Shpresoj që kjo vaksinë do të bëjë të njëjtën gjë dhe do të zhdukë këtë sëmundje të tmerrshme", tha Dr. Mollick.

Në kulmin e tij në vitet 1940 dhe 1950, poliomieliti paralizonte ose vriste çdo vit mbi gjysmë milioni njerëz në të gjithë botën.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG