Lidhje

USAID modernizon punën e gjykatave shqiptare


Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar USAID vendosi me financimet e veta teknologjitë moderne të regjistrimit dixhital në sallat e gjyqeve të 4 gjykatave të rajonit të Durrësit, në përpjekje për të rritur cilësinë e punës në sistemin shqiptar të drejtësisë. Ndërtimi i këtyre pajisjeve moderne për regjistrimin e seancave sapo ka përfunduar në gjykatat e shkallës së parë në Durrës, Kavajë, Elbasan dhe në gjykatën e Apelit të qytetit bregdetar. Me këtë sistem modern gjykatat shqiptare do të kenë standarte të përbashkëta dhe cilësi e gjykimi. Sistemi i regjistrimit dixhital rrit transparencën e procesit gjyqësor, pasi jep një procesverbal të plotë të çdo fjale që deklarohen në sallat e gjyqit. Çdo regjistrim bëhet pjesë e dosjes gjyqësore.



“Regjistrimi i audios që shihej në fillim me skepticizëm tashmë po përdoret nga gjykatat shqiptare për të administruar më mirë seancat gjyqësore. Ndjehem i inkurajuar tek shoh që të ndërmerrni veprime pozitive konkrete për përmirësimin e sistemit gjyqësor shqiptar. Ka shumë për të bërë në përmirësimin e sistemit të drejtësisë, por ndryshimi i teknologjisë së regjistrimit ndikon shumë në këtë proces. Në ligjet shqiptare duhen bërë edhe disa ndryshime që regjistrimi i zërit në process gjyqësor të bëhet i detyrueshëm – tha drejtori i Misionit të USAID-it në Shqipëri, Jim Barnhart. Sipas tij, përgjegjësia e gjykatësve, prokurorëve dhe avokatëve është rritur ndjeshëm gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore, edhe nga ndikimi i pajisjeve elektronike, të cilat kanë rritur edhe efektshmërinë e punës së administratës gjyqësore.

Durrësi është rajoni i dytë pas Korçës, ku vendosen këto pajisje moderne, që lehtësojnë mjaft punën e gjyqtarëve dhe njëjtësojnë punën e gjithë gjykatave në vendit në ushtrimin e drejtësisë. Ky projekt filloi para një viti dhe deri tani 12 gjykata shqiptare përdorin regjistrimin dixhital audio në sallat gjyqësore. Deri në fillim të vitit tjetër USAID përmes projektit JUST pritet të pajisë të gjitha gjykatat e shkallës së parë dhe të apelit me teknologji moderne dixhitale në sallat e gjyqeve.
XS
SM
MD
LG