Lidhje

Prokuroria publikoi hetimet për listat e fryra të Durrësit


Prokuroria e Durrësit publikoi sot rezultatet e hetimeve dyjavore për zmadhimin artificial të listave të votuesve në qytetin bregdetar, duke marrë në pyetje 60 banorë në zonën e plazhit, pas padisë që PD e opozitës bëri dy javë më parë.

Procedim penal per kryebashkiakun e Vores
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:19 0:00

Opozita dëshmoi mbi dyshimet se rreth 2800 personave nga qytete të ndryshme janë shtuar në listën e votuesve të Durrësit, ndërkohë që edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i dorëzoi drejtësisë një raport kontrolli me dyshimet e veta.

Prokuroria e Durrësit ka nisur 600 fletë thirrje për personat e shtuar në lista përmes dokumentave false si banorë të përkohshëm dhe votues të qytetit të Durrësit.

Shumë prej tyre kanë hartuar kontrata qeraje false, dhe sot drejtori i ndërmarrjes së plazhit si dhe një notere që hartonte këto dokumenta janë pezulluar nga detyra për shpërdorim posti dhe falsifikim dokumentash.

Gjykata miratoi pezullimin e tyre, aq më tepër që ata kanë detyrën të hartojnë saktë dokumente të tilla si dhe i kërkoi KQZ që të fshijë nga lista e votuesve të Durrësit ata që janë shtuar me këtë rrugë të paligjshme.

Prokuroria mori deklarata nga rreth 60 banorë të zonës së Plazhit, se ata nuk kishin lëshuar askujt banesa me qera dhe se emrat e tyre në kontrata janë falsifikime.

Gjykata urdhëroi sekuestrimin e listës së këtyre personave në Gjendjen Civile të Durrësit dhe këta persona nuk do të jenë as në listën e votuesve dhe as në atë të banorëve të qytetit bregdetar.

Ndërkohë, policia e Tiranës njoftoi se ka nisur procedimin penal ndaj kryetarit të bashkisë së Vorës dhe kandidat i Partisë Demokratike, Fiqiri Ismaili, pas dy denoncimeve për blerje vote.

Sipas policisë, kryetari Ismaili u ka dhënë rreth 100 dollarë dy shtetasve, duke u kërkuar të votojnë për të në zgjedhjet vendore të fundjavës tjetër.

Forcat e rendit pohuan se ai i shpërndate paratë në mjediset e kompanisë së tij Agroblend dhe se dy shtetasit denoncuan menjëherë sapo morën të hollat.

Por pak orë më vonë kandidati Ismaili dhe dy denoncuesit e tij u shfaqën në një konferencë shtypi nga selia e Partisë Demokratike, ku një drejtues i lartë i partisë opozitare deklaroi se policia po ushtronte presion në Vorë.

Sipas zotit Edi Paloka, kryetar i grupit parlamentar opozitar, ata që policia i quan denoncues janë në fakt antarë të shtabit elektoral të zotit Ismaili, dhe se policia u kishte marrë atyre dëshmi të rreme me dhunë e kërcënime, pasi i rrëmbeu në mjediset e saj.

Pothuaj të gjithë paritë politike janë angazhuar të mbrojnë votat dhe të frenojnë blerjen e tyre, megjithatë rasti i Vorës regjistrohet si ngjarja e parë e këtij lloji, megjithë paqartësitë e shfaqura.

Prokuroria bëri të ditur se për Vorën ende nuk ka denoncime zyrtare, megjithëse policia dhe opozita deklaruan se do të padisin njëra tjetrën në organin e akuzës.

XS
SM
MD
LG