Ulja e dy amerikanëve në Hënë në korrik të vitit 1969, ishte një nga arritjet më frymëzuese shkencore dhe teknike në historinë njerëzore. Programi i hapësirës së NASAs ka dhënë gjithashtu rezultate të suksesshme teknologjike nga të cilat shoqëria ka përfituar në shumë mënyra. Por sot, si vullneti politik ashtu edhe fondet federale për të mbështetur këtë nivel arritjeje duket se janë zbehur. Një nga shkencëtarët amerikanë më të njohur të hapësirës i shpjegoi korrespondentit Adam Phillips të Zërit të Amerikës arsyet përse ai mendon se kjo prirje është thellësisht shqetësuese.
Astrofizikani Neil deGrasse Tyson është një prej mbrojtësve më të hapur të vendit për kërkimet dhe eksplorimin e hapësirës. Pasioni i tij është i dukshëm në punën e tij. Ai është drejtor i Muzeut Amerikan të Qendrës Rose të Historisë Natyrore për Tokën dhe Hapësirën në Nju Jork. Ka shkruar me dhjetra libra për këtë temë, duke përfshirë më të fundit: Space Chronicles: Facing the Ultimate Frontier.
“Libri përfshinë çdo mendim që kam pasur ndonjëherë në lidhje me të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e hapësirës.”
Tyson u rrit gjatë viteve 1960 dhe 70. Ishte një epokë e optimizmit të shfrenuar për eksplorimin e hapësirës që çoi në uljen në Hënë dhe programin e anijeve të hapësirës. Ajo ishte gjithashtu një epokë e financimeve bujare federale për Nasën. Por kjo epokë, thotë Tyson, ka marrë fund. Administrata Obama propozoi kohët e fundit shkurtime të thella në buxhetin e vitit 2013 për agjencinë amerikane të hapësirës, pothuajse një vit pasi ajo mbylli programin e saj 30-vjeçar të anijeve në hapësirë:
"Tani, Shtetet e Bashkuara nuk kanë një anije të vetën për të marrë astronautët tanë në orbitë. Ne duhet t’u kërkojmë rusëve të na marrin e të na çojnë. Nëse ju kërkon një udhëtim kjo nënkupton se po e bëjnë falas këtë veprim. Por ne jemi duke udhëtuar me rusët, sepse po paguajnë për ato vende. Është pak e turpshme, mendoj."
Tyson dëshiron që buxheti i Nasës të rritet në mënyrë dramatike. Ai thotë se vendi nuk mund të mos e ketë hapësirën një prioritet kombëtar kur bëhet fjalë për financim.
"Kjo është një lloj aventure që i jep hov ekonomisë sonë dhe në shekullin e 21-të risitë shkencore dhe teknologjike do të përcaktojnë se kush ecën përpara dhe kush mbetet prapa. Ajo që zbuluam në Periudhën e Artë të eksplorimit të hapësirës në Amerikë, edhe pse ajo u nxit nga lufta, ishte një ndryshim i plotë në opinion e gjithë vendi për atë që ishte e mundur të realizonim për të ardhmen tonë .... Dhe njerëzit që sjellin të ardhmen më pranë janë shkencëtarët dhe teknologjitë e reja."
Kjo mund të shihet, thotë Tyson, në shumëllojshmërinë e pajisjeve që dikur dukeshin si fantashkencë, por që tani janë të zakonshme. Pajisje elektronike të vogla. Kirurgjia me rreze lazer për sytë e deri tek mjetet e komunikimit në rrjet.
Por për Tyson, rezultati më i vlefshëm i një programi të forcuar të hapësirës është frymëzimi që ai mund t’u sigurojë të rinjve për t'u bërë novatorët dhe vizionarët e së ardhmes.
"Eshtë një thënie, nuk më kujtohet se e kujt por që thotë, " nëse doni të mësoni dikë të lundrojnë, nuk duhet t’i mësoni se si të ndërtojnë një barkë. Duhet thjesht t’i frymëzoni për detin e hapur. Dhe është kjo dëshirë e madhe që nxit risitë, sepse arritja e synimit përmes dashurisë dhe romancës është ajo që stimulon krijimtarinë. "
Do të duhet "një ndryshim në mendim", thotë astrofizikani dhe autori Neil deGrasse Tyson, për të nxitur një rilindje të vërtetë në shkencën e hapësirës. Ai beson se kjo rilindje mund të rigjallërojë si ekonominë amerikane ashtu edhe shpirtin kombëtar.