Lidhje

E pasigurt mundësia e një mandati të ri për Kryeministrin izraelit Netanyahu


Mbështetësit e Kryeministrit Netanyahu reagojnë ndaj rezultateve të sondazheve (23 mars 2021)

Mundësia e një mandati të ri për Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dukej sot e pasigurt, pasi rezultatet e pjesshme nga zgjedhjet e së martës nuk i japin atij një rrugë të qartë drejt fitores.

Megjithëse rezultatet zyrtare ende nuk janë shpallur, nga rreth 90 për qind e votave të numëruara, duket se për t’u rizgjedhur zotit Netanyahu, udhëheqës i partisë së djathtë Likud, do t’i duhet të formojë një koalicion të pazakontë, që mund të përfshinte ultra-ortodoksë hebrenj, ultra-nacionalistë dhe parti arabe.

Benjamin Netanyahu
Benjamin Netanyahu

Këto ishin zgjedhjet e katërta kombëtare të Izraelit brenda dy vjetëve.

Duke përjashtuar çdo të papritur nga votat e mbetura pa u numëruar, peisazhi i tanishëm zgjedhor i ka shtuar gjasat për një tjetër votim kombëtar.

Në tre zgjedhjet e mëparshme as Netanyahu, tani 71 vjeç, dhe as kundërshtarët e tij të qendrës së majtë nuk fituan shumicën në parlamentin me 120 vende.

Likud parashikohet të dalë si partia më e madhe me 30 vende, nga 36 që ka deri tani. Partia opozitare e qendrës Yesh Atid, e kryesuar nga Yair Lapid, vjen pas saj me 18 vende.

Lapid, 57 vjeç, kishte shpresuar se do të gjente mbështetje të mjaftë në bllokun anti-Netanyahu për të mposhtur udhëheqësin veteran, i cili është në pushtet që nga viti 2009.

Netanyahu tha se kishte arritur një "fitore të madhe" në zgjedhje dhe se shpresonte të formonte një "qeveri të qëndrueshme të krahut të djathtë".

Zakonisht i takon partisë më të madhe të përpiqet të formojë qeverinë, por bisedimet dhe marrëveshjet në prapaskenë mund të zgjasin me javë të tëra.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG