Eagles i Filadelfias mundi dje favoritin aktual të Ligës, ekipin Patriots të Bostonit me rezultatin 41-33. Ishte hera e parë që Eagles merr trofenë e kampionatit, pasi kishte dalë edhe dy herë të tjera në finale, por pa arritur të fitonte.
Kapiteni i ekipit Eagles, Nick Foles, i cili ishte lojtar zëvendësues, mori rolin qendror dje pasi kapiteni i rregullt ishte lënduar në ndeshje të mëparshme. Foles udhëhoqi ekipin në fitore duke siguruar edhe titullin Lojtari më i Mirë i kampionatit. Një pasim nga kapiteni Foles drejt pritësit Zach Ertz në minutat e fundit të ndeshjes çimentoi fitoren duke e çuar rezultatin në tetë pikë diferencë dhe duke e bërë të pamundur për Patriots që të barazonin.
Eagles dhe Patriots ishin ndeshur edhe më parë në 2005 kur Patriots, nën kapitenin Tom Brady, siguruan titullin kampion. Brady ka udhëhequr ekipin e tij në katër fitore të kampionatit, në një partneritet të pakrahasueshëm me trajnerin Bill Belichick që i kishte bërë Patriots një ekip legjendar. Për këtë arsye ata konsideroheshin si favoritë të ndeshjes së mbrëmshme.
Por fitorja këtë radhë u buzëqeshi Eagles të Filadelfias, një ekip që e priste këtë fitore që nga viti 1960.
Brady, aktualisht 40 vjeç, thotë se ka në plan të rikthehet vitin e ardhshëm dhe të synojë të dalë në finale për të shtatën herë, me shpresën se do të sigurojë për të pestën herë fitoren e kampionatit.
Ndërkaq, Filadelfia po jeton për sot dhe për një ndër momentet më të shënuara në historinë sportive të qytetit. Mbrëmë qyteti u përfshi nga një festim i bujshëm, megjithëse ndeshja u zhvillua në Mineapolis, rreth 1500km larg.
Sapo kapiteni i Eagles shënoi pikët e fundit që i siguruan ekipit fitoren, tifozët vërshuan nga baret, banesat e restorantet, duke mbushur rrugët e qytetit për një festim të bujshëm. Për orë të tëra rrugët gumëxhinin nga buritë e makinave, brohoritjet e fishekzjarret.
Një natë e acartë u mbyll dje me një fitore të shumëpritur për Filadelfian.
Facebook Forum