Lidhje

Debat mbi nostalgjinë për Gjermaninë Lindore


Kanë kaluar 25 vjet që nga rënia e Murit të Berlinit që sinjalizoi fillimin e fundit të Republikës Demokratike Gjermane, apo Gjermanisë Lindore. Ndërkohë që banorët e Berlinit festojnë këtë fundjavë, ka një debat në rritje mbi nostalgjinë për Gjermaninë vjetër Lindore. Kjo nostalgji ka kthyer në Berlin një mini-industri të produkteve të vjetra të Gjermanisë Lindore. Por disa gjermanë druhen se kjo prirje po lë në hije tmerret e së kaluarës.

Autokolona “Trabi Safari” niset nga baza afër postbllokut të vjetër Charlie në Berlin.

Për miliona gjermanolindorë, makina Trabant ishte mjeti kryesor i transportit. Nga viti 1950 deri në vitin 1990, dizajni i makinës pothuajse nuk ndryshoi fare, një motor i vogël dhe një trup plastik. Janë prodhuar më shumë se 3 milionë makina të tilla.

Simona Matern drejton një varg makinash të kësaj marke në Berlin.

"Është shumë e popullarizuar sepse është një makinë e bukur me dritat e veta të rrumbullakëta. Shumë gjermanë nga pjesa perëndimore nuk kanë patur shansin të ngasin këtë makinë. Edhe të rinjtë gjermanë nga Lindja nuk mund ta bënin këtë".

Trabi ishte gjithashtu një mjet i arratisjes për mijëra gjermanolindorë pas rënies së Murit të Berlinit. Familjet ngarkonin sendet e tyre në makinë dhe largoheshin. Autokolonat me makinat Trabi përshëndeteshin kur arrinin në Berlinin Perëndimor.

Trabant është një shembull i nostalgjisë për ikonografinë e Gjermanisë Lindore.

Reliket e asaj kohe janë vendosur në Muzeun e Gjermanisë Lindore në Berlin. Kjo i lejon vizitorët të përjetojnë jetën e përditshme të një gjermanolindori, duke filluar nga aspektet më të zakonshme deri te më negativet. Melanie Alperstaedt është zëdhënëse e muzeut.

"Si muze, ne do të thoshim se nuk jemi nostalgjikë sepse ne i kujtojmë edhe aspektet politike të asaj kohe".

Në muze ka një dhomë hetimi të ngjashme me ato policisë sekrete Stasi dhe një qeli burgu të ngjashme me ato në burgun famëkeq Stasi në lindje të Berlinit.

Kryebashkiaku Berlinit ka paralajmëruar për rrezikun e lejimit të Gjermanisë Lindore që të arrijë statusin e një kulti. Melanie Alperstaedt ka shqetësim të njejtë.

"Nëse keni jetuar pa u përfshirë në politikë, pa menduar shumë për shoqërinë, atëherë mund të thoni se keni patur një jetë të lumtur, nuk keni patur probleme me policinë e shtetit dhe nuk jeni burgosur. Por, për njerëzit të cilët ishin të interesuar në politikë, të cilët dëshironin të kishin lirinë e tyre, të cilët dëshironin të votonin , për ta jeta në Republikën Demokratike Gjermane ishte shumë e vështirë".

Infrastruktura e mbijetuar e regjimit të vjetër ofron një antidot të fortë për nostalgjinë. Ai njihet si "Pallati i lotëve" një pikë kontrolli në stacionin Friedrichstrasse. Muri brenda një nate kishte ndarë familjet dhe miqtë. Bashkimet ishin të rralla. Të dashurit u ndanë, nganjëherë për disa vjet.

Memoriali i Murit të Berlinit është një dëshmi e fuqishme për kushtet e rënda në Lindje që detyruan shumë njerëz të bënin përpjekje për t’u arratisur. Axel Klausmeier është drejtor i memorialit.

"Nuk kishte liri politike, liri të shprehjes, liri të lëvizjes, liri për shtypin. Policia sekrete, Stasi ishte kudo. Ata përpiqeshin të mësonin gjithçka për opozitën".

Për brezat e rinj në Gjermaninë e bashkuar, nostalgjia është e kufizuar në muzeume dhe në librat e historisë. Për shumë nga ata që janë rritur në Lindje, nostalgjia e fëmijërisë është e shoqëruar me kujtime të dhimbshme.

XS
SM
MD
LG