Presidenti amerikan Barak Obama pritet të njoftojë masa të reja për luftën kundër Ebolës në Afrikën Perëndimore, duke përfshirë dërgimin e 3,000 trupa amerikane në rajon. Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë, thuhet se trupat do të dërgohen në një qendër të re komande në kryeqytetin e Liberisë, Monrovia, ku ato do të ndihmojnë për transportimin e furnizimeve dhe të personelit.
Shtëpia e Bardhë thotë se synimi i programit është të kontrollojë epideminë në burimin e saj, të pakësojë dëmin ekonomik dhe politik në rajon dhe të ndërtojë një "infrastrukturë globale të sigurisë shëndetësore" në Afrikën Perëndimore e më gjerë.
SHBA do të ndërtojnë edhe qendra për trajtimin e stafit, dhe do të krijojnë një strukturë për të trajnuar 500 punëtorë të kujdesit shëndetësor në javë.
Ndërkohë, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mbajë të enjten një takim të ngutshëm mbi krizën e Ebolës.
Ambasadorja e SHBA në Kombet e Bashkuara Samantha Power tha se gjendja e krijuar nga Ebola është e tmerrshme dhe se komuniteti ndërkombëtar duhet të punojë së bashku për të frenuar përhapjen e saj.
"Nuk ka nevojë t'ju them se sa të pazakonta janë debatet në Këshillin e Sigurimit mbi çështjet e shëndetit publik dhe krizat e shëndetit publik, por në këtë çast është e rëndësishme që vendet anëtare të gjejnë një përgjigje të koordinuar ndërkombëtare, dhe të fillojnë procesin e grumbullimit të burimeve për të ndaluar përhapjen e sëmundjes."
Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar do të fillojë një fushatë për të shpërndarë mjete dhe për të trajnuar njerëzit për të mbrojtur veten dhe familjet e tyre. Ajo fillimisht do të ndihmojë 400 mijë familjet më të rrezikuara në Liberi, dhe pastaj do të shtrihen në të gjithë Liberinë dhe rajonin.
Programet e reja do ta çojnë në 175 milion dollarë angazhimin e përgjithshëm amerikan për luftën kundër Ebolës.
Zyrtarët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë thonë se vendet e Afrikës Perëndimore të prekura nga Ebola janë në prag të një krize humanitare në qoftë se nuk marrin ndihmë së shpejti.
Bashkërenduesja e ndihmave të organizatës Valerie Amos paralajmëroi në Gjenevë, se komuniteti ndërkombëtar duhet të veprojë tani për të shmangur një krizë më të madhe:
"Kjo është shumë më tepër se një krizë shëndetësore. Ajo kërkon një reagim të përbashkët të OKB-së, por edhe bashkëpunim me qeveritë, partnerët ndërkombëtarë, kolegët tanë të OJQ-ve dhe gjithë të tjerët, " tha zonja Amos.
Virusi ka infektuar më shumë se 4,700 njerëz në Afrikën Perëndimore, duke u përhapur nga Guinea në Sierra Leone, Liberi, Nigeri dhe Senegal. Liberia është goditur më rëndë nga të gjitha vendet me rreth gjysmën e numrit të përgjithshëm prej më shumë se 2 mijë të vdekurish.