Lidhje

Një punonjës i OKB vdes nga Ebola


Një punonjës shëndetësor i OKB-së që ishte infektuar me Ebolën kur punonte në Liberi vdiq në një spital gjerman. Spitali St Georg i Leipzigut, tha se 56-vjeçari vdiq gjatë natës, "megjithë procedurat mjekësore intensive."

Misioni i OKB-së në Liberi njoftoi javën e kaluar se pjestari i tij ishte testuar pozitiv për Ebolën më 6 tetor dhe tha se asnjë nga 41 personat që mund të kishin qenë në kontakt me të nuk kishte shfaqur ndonjë simptomë.

Në Shtetet e Bashkuara, autoritetet shëndetësore po këshillojnë spitalet që të rishikojnë mënyrat që përdorin për kujdesin ndaj të sëmurëve me Ebola, pas rastit të parë në vend në të cilin virusi u transmetua nga një pacient tek një infermiere.

Dr. Tom Frieden, kreu i Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, tha se autoritetet po hetojnë lidhur me këtë rast për të kuptuar se si infermierja Nina Pham në Dallas u bë personi i parë që infektohej me Ebola në SHBA. Ai tha se shkak për infektimin ishte një "shkelje e panjohur e procedurave". Infermierja kishte trajtuar një person nga Liberia, i cili vdiq në spitalin e Dallasit pasi e kishte marrë virusin në vendin e tij.

Dr Tom Frieden, Drejtor, Qendra amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve

"Ne do të dyfishojmë trajnimet, informimin, edukimin dhe ndihmën në të gjithë sistemin e kujdesit shëndetësor, nëpërmjet shoqatave profesionale e spitaleve, nëpërmjet organizatave, grupeve dhe individëve, duke bashkëpunuar me departamentet e shëndetësisë në të gjitha nivelet për të rritur ndërgjegjësimin," tha zoti Frieden.

Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve po monitoron 48 punonjës të spitalit që kanë qenë në kontakt me personin nga Liberia, i cili vdiq në Dallas. Dr Frieden u kërkoi spitaleve të kontrollojnë nëse ka pacientë me ethe ose simptoma të Ebola, njerëz që mund të kenë udhëtuar nga Afrika Perëndimore në 21 ditët e fundit.

Epidemia ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 4,000 njerëzve në Liberi, Guine dhe Sierra Leone.

Dje në Liberi shumica e punonjësve të kujdesit shëndetësor u paraqitën në punë, duke mos përfillur thirrjet për grevë. Shoqata liberiane e shëndetësisë po kërkon që punonjësit të marrin pagë shtesë për shkak të ekspozimit ndaj Ebolës.

XS
SM
MD
LG