Lidhje

Librat elektronikë përhapen në biblioteka


Gjithmonë jemi mësuar që të shkojmë në bibliotekë për të marrë libra. Por ideja e librit ka ndryshuar me përhapjen e librave elektronikë në shoqërinë amerikane. Kompania që shet libra në internet Amazon, njoftoi së fundmi se më pak se katër vjet që kur filloi t’i shiste përmes katalogut to saj, po shet më shumë versione elektronike sesa libra tradicionalë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Ted Landphair sjell më shumë hollësi.

Në prill të këtij viti, Enciklopedia Britanike, prodhuesi më i vjetër dhe më i madh i enciklopedive, që ndodhet në çdo bibliotekë, njoftoi se nuk do ta botonte variantin e saj të shtypur.

Së fundmi, Projekti i Internetit dhe Jetës Amerikane në qendrën Pew, nxorri rezultatet e një ankete për përdorimin e librave elektronikë nga frekuentuesit e bibliotekave. Anketa arrinte në përfundimin se 12 për qind e amerikanëve të moshës 16 vjeç e lart, që lexojnë libra elektronikë thanë se kishin tërhequr të paktën një libër elektronik nga biblioteka gjatë vitit të kaluar.

Por sondazhi arriti në përfundimin se publiku më i gjerë, përfshirë 58 për qind e atyre që kanë karta biblioteke dhe 53 për qind e atyre që kanë lexues elektronikë, si Kindle dhe Nook, nuk e dinë që mund të gjejnë dhe të marrin libra elektronikë nga biblioteka, megjithëse 3 të katërtat e bibliotekave e ofrojnë këtë shërbim.

Drejtori i Projektit për Internetin në qendrën Pew, Lee Rainie vë në dukje se marrja e librave elektronikë në bibliotekë po bëhet më e shpeshtë në të njëjtën kohë kur shtëpitë botuese që shesin shumë libra elektronikë dhe më pak versione të shtypura, shqetësohen se huazimi i librave elektronike në bibliotekë do të ketë pasoja në shitjen e tyre.

Në shkurt për shembull, shtëpia botuese Penguin ndaloi së shpërndari libra elektronikë dhe audio nëpër biblioteka. Penguin sapo ka arritur një marrëveshje për të rifilluar furnizimin me libra elektronikë për sistemin e bibliotekave të New Yorkut, por vetëm gjashtë muaj pasi botohen librat. Në këtë mënyrë ata që duan t’i lexojnë librat sapo botohen do të duhet t’i blejnë.

Kështuqë përsa i takon librave elektronikë në botën e bibliotekave, situata nuk është shumë e qartë. Gjithnjë e më shumë lexues i duan, por botuesit u krijojnë bibliotekave vështirësi për t’i ofruar. Kërkesa nuk është problem, por plotësimi i nevojave mund të bëhet i vështirë me kalimin e kohës.
XS
SM
MD
LG