Lidhje

Qeveria dhe opozita në marrëdhënie të vështira


Kjo është hera e dytë që deputetët e PD braktisin sallën e parlamentit brenda pak ditësh që ka nisur punën shumica e re në qeverisje.

Marrëdhëniet mes qeverisë dhe opozitës demokrate sa vijnë e vështirësohen në Tiranë për shkak të mospajtimeve mbi hapat e para të shumicës së re. Partia Demokratike u ankua në Gjykatën Kushtetuese kundër aktit normativ të qeverisë për të shtyrë 6 muaj hyrjen në fuqi të ligjit për statusin e nëpunësit civil të miratuar 4 muaj më parë me mirëkuptimin e të gjitha forcave parlamentare. Deputetët e opozitës u larguan nga seanca plenare e parlamentit sapo vendimi i qeverisë për këtë shtyrje ligji u fut në rendin e ditës. Përfaqësuesi i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka, deklaroi se shtyrja cënon mirëkuptimin mes forcave politike dhe rikthen tensionet politike, së bashku me shkarkimet masive nga administrata shtetërore të teknicienëve për motive politike.

Partia Socialiste dhe drejtuesi i saj, Edi Rama, duken të pashqetësuar nga reagimet e forta të opozitës. Kryeministri Rama thotë se qeveria e re ka vecse 20 ditë në detyrë dhe nuk ka shkopin magjik për të përmbushur pritshmërinë e lartë të publikut ndaj vështirësive dhe aq më pak të kritikohet se bëri ose nuk bëri mirë ndonjë punë. Zoti Rama tha mbrëmë gjatë një bisede në tv Klan se nuk është prishur mirëkuptimi mbi këtë ligj, se ligji për statusin e nëpunësit civil është praktikisht i pazbatueshëm, ndaj është kërkuar pak kohë që të hartohen aktet nëligjore.

Kjo është hera e dytë që deputetët e PD braktisin sallën e parlamentit brenda pak ditësh që ka nisur punën shumica e re në qeverisje. Ata u larguan nga parlamenti në mes të fjalës së kryeministrit të ri Edi Rama, teksa po paraqiste programin qeverisës, duke e vlerësuar atë si provokues, nihilist dhe fyes për opozitën e re. Ndërsa presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ftoi dje drejtuesit e 5 grupeve palamentare në takime pas disa ditësh për emërimin e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, të cili i ka mbaruar mandati 3-vjeçar. Presidenti Nishani bëri të ditur se nisi përzgjedhjet për kryetarin e gjykatës kushtetuese dhe i fton partitë për këshillime në vijimësi të praktikës së bashkëpunimit ndërinstitucional të konsultimit me forcat politike parlamentare. Ndërsa partitë politike nga ana e tyre po vijojnë pakashumë të njëjtat sjellje e tone të ndezura në parlament të mirënjohura në shumë vite, megjithë premtimet për bashkëpunim dhe reforma europiane.

XS
SM
MD
LG