Lidhje

Edi Rama deklaron se do të kandidojë për një mandat të katërt si kryetar i Bashkisë së Tiranës


Edi Rama deklaron se do të kandidojë për një mandat të katërt si kryetar i Bashkisë së Tiranës
Edi Rama deklaron se do të kandidojë për një mandat të katërt si kryetar i Bashkisë së Tiranës

Në Shqipëri kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, njëkohësisht dhe kryetar i bashkisë së Tranës deklaroi mbrëmë se ai do të rikandidojë për një mandat të katërt. Deklaratën e tij zoti Rama e bëri gjatë një interviste në emisionin Top Story në Top Channel, duke e shpjeguar vendimin e tij me kërkesën këmbëngulëse të njerëzve të shumtë sipas tij. Po mbrëmë ministri i brendshëm Lulëzim Basha njoftoi se kishte kërkuar dorëheqjen nga posti dhe nga mandati i tij si deputet për të garuar për postin e kryetarit të Bashkisë së kryeqytetit.

Tani loja është hapur. Dilemat dhe pikëpyetjet janë shtuar. Beteja politike për kryeqytetin ka nisur edhe zyrtarisht. Dje në mbrëmje ministri i Brendshëm Lulëzim Basha i paraqiti dorëheqjen nga posti Kryeministrit Sali Berisha e në të njejtën kohë kërkoi edhe lënien e mandatit të tij si deputet me anë të një letre dërguar kryetares së parlamentit Jozefina Topalli. Të dy funksionet janë të papajtueshme me kandidimin e tij për kryetar të Bashkisë së Tiranës. Pak orë më vonë, gjatë intervistës së tij në Top Channel, gjatë emisionit Top Story, kryetari socialist do të hiqte dilemat mbi kandidaturën e së majtës: "Unë do ta marr përsipër të qëndroj kryetar i bashkisë së Tiranës për të gjithë ata që e kërkojnë këtë nga unë. Për mua sot është një detyrim që e ndjej si pjesë integrale të kësaj beteje për tu përballur në cdo hap e hapësirë me këtë regjim"

Zoti Rama tregoi se fillimisht ai kishte menduar që pas tre mandatesh të tërhiqej nga drejtimi i kryeqytetit, por sipas tij, presioni i madh nga kërkesat e shumta siç e përshkroi ai, të njerëzve të ndryshëm, bënë që ai të rikandidonte. Zoti Rama në të vërtetë nuk u shty të jepte detaje mbi atë se çfarë ai do t’i ofrojë kryeqytetit, por duket e qartë se e gjithë kjo fushatë do të jetë në një farë mënyre një betejë e pastër politike mes opozitës që ka provuar çdo gjë dhe çdo mënyrë për t’iu kundërvënë shumicës së drejtuar nga kryeministri Sali Berisha e që tani, po kërkon të shfrytëzojë të paktën këtë mundësi për të dëshmuar atë që ajo reklamon prej kohësh se shumica qeverisëse përfaqëson, sipas saj, pakicën e shqiptarëve.

Por këto zgjedhje nuk do të kenë në qendër vetëm debatin politik, ato po paraprihen, siç ndodh rëndom, edhe nga një zhurmë e madhe akuzash të opozitës për tentative manipulimi nga qeveria, duke denoncuar ndërhyrje veçanërisht në listat e votuesve në njësitë të cilat kontrollohen nga shumica. Opozita ka parlajmëruar madje, se nëse kjo gjendje nuk ndryshon, do të mbledhë forumet për të vendosur qendrimin e saj për zgjedhjet.

Nga ana e saj shumica vazhdon e qetë hapat e saj. Sot këshilli kombëtar i partisë demokratike pritet të vendosë për kandidatët e saj për bashkitë dhe komunat e vendit.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG