Lidhje

Tiranë: Koalicioni qeveritar paraqiti kandidatët për zgjedhjet vendore


Aleanca për Shqipërinë Europiane paraqiti kandidatët e saj për zgjedhjet e pushtetit vendor gjatë një tubimi këtë mbrëmje, ku mori pjesë qeveria dhe drejtuesit e partive më të vogla aleate të koalicionit qeveritar. Kryeministri Edi Rama foli për vlerat e kandidatëve të majtë në 61 bashkitë e reja dhe kërkoi mbështetjen e tyre në zgjedhjet e qershorit.

“Shumica e shqiptarëve e mirëkuptojnë dhimbjen, që shkaktoi reforma, që duhet të kishim bërë vite të tëra dhe që sot janë operacione mbi plagë shumë më të thella seç ishin vite të tëra” - tha ai në tubim, duke shtuar se më 21 qershor nuk votohet për politikë, por për të zgjedhur atë që garanton shërbime më të mira në çerdhe, kopshte, shkolla, spitale, qytete.

Zoti Rama tha se rendi dhe ligji janë forcuar në pak muaj, ndërsa punësimi u shtua me 8 për qind, ose 83 mijë persona. Sipas tij, qeveria po paguan mbi 720 milionë dollarë borxhe dhe hoqi disa taksa mbi pagat, duke çliruar portofolin familjar të shqiptarëve.

“Reforma e pensioneve solli risinë që njerëzit të shpërblehen sipas viteve të punës me një rritje nga 2 deri në 40%” - tha ai, po ashtu ndihma ekonomike u dyfishua. Në fund folën edhe dy aleatët më të rinj të koalicionit qeveritar, Bamir Topi i FRD-së dhe Shpëtim Idrizi i PDIU-së, të cilët uruan fitoren e aleancës së re.

Edhe opozita ka nisur fushatën e saj në të gjithë vendin. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, po kërkon votat për kandidatët e djathtë, duke akuzuar koalicionin qeveritar për korrupsion dhe thellim të varfërisë. Ai po u kërkon qytetarëve dhe përkrahësve të opozitës të shfrytëzojnë zgjedhjet vendore për të ndëshkuar politikat e gabuara të qeverisë në ekonomi, punësim dhe mbrojtje sociale.


XS
SM
MD
LG