Lidhje

Rama: "Po shmangim kolapsin energjitik"


Kryeministri Rama tha se sistemi energjitik është në gjendje të rëndë nga mospagesat, nga abuzimet dhe nga borxhet.

Në Tiranë, qeveria paralajmëroi një situatë të vështirë energjitike, që lidhet me rezervat ujrore dhe me borxhet e konsumatorëve. Kryeministri Edi Rama deklaroi në mbrëmje se borxhet dhe abuzimet me energjinë e kanë çuar vendin drejt një kolapsi energjitik. Qeveria po përgatit një paketë të re masash për të shmangur krizën e sistemit energjitik, i cili po vuan nga borxhet, vjedhjet dhe abuzimet. Kështu deklaroi mbrëmë kryeministri Edi Rama, i ftuar në programin Top Story të televizionit Top Channel, duke folur për herë të arë me shqetësim të vecantë për sigurinë energjitike të vendit. Kryeministri Edi Rama tha se krahas betejës së përditshme me krimin qeveria po përballet me një tjetër betejë të përditshme: ajo është beteja për të shmangur kolapsin energjitik.

Beteja me krimin ndodh në sytë e tyre, por ka një betejë tjetër që është për jetë a vdekje, që zhvillohet përditë dhe që është beteja për t’i shpëtuar kolapsit energjitik dhe është një betejë që do të bëjmë të gjithë bashkë. Kemi trashëguar 1.1 miliardw dollarë borxhe zinxhir mes CEZ-OST-bankave e me radhë. Kemi trashëguar një kulturë mospagesë shumë të rëndë” - tha ai.

Zoti Rama tha se pas dimrit ka një thatësirë, por furnizimi me energji elektrike ka vazhduar, dhe kjo e ka fshehur përpjekjen e përditshme për të tejkaluar gjendjen kritike. Sipas tij, qeveria ka ulur humbjet e energjisë në rrjet nga 52 në 42 për qind brenda një kohe të shkurtër, ndërsa arkëtimet janë rritur me 20 për qind. Megjithatë ai tha se sistemi energjitik është në gjendje të rëndë nga mospagesat, nga abuzimet dhe nga borxhet.

Zoti Rama tha se këtë dimër u shmangën përmbytjet, sepse ministria e bujqësisë hapi linjat e kullimit dhe futi në punë hidrovoret e harruar. Ai tha se ministria e energjisë po përgatit një paketë me masa shtesë drejtuar parlamentit për të përballuar këtë situatë të vështirë energjitike, që lidhet me borxhet. Ai tha se familjeve më të varfëra do t'u lihet më tepër kohë, që të shlyejnë borxhet e energjisë dhe së pari pagesat duhen kryer nga institucionet dhe bizneset shumëmilionëshe.

Të gjithë të kuptojnë që do të jemi të pamëshirshëm ndaj atyre që vjedhin dhe nuk paguajnë energjinë. Sa më shumë të paguajnë aq më shpejt do të jemi të sigurtë. Nuk do të mungojë energjia elektrike, por shumë shpejt do të ketë një fushatë. Ne nuk do ta nisim nga më të varfërit, do ta nisim nga ata që kanë para t’i paguajnë e pastaj të varfërit, sepse edhe ata duhet të paguajnë. Do të ketë një plan masash drastik, duke u hequr cdo shërbim të gjithë atyre që janë debitorë me energjinë” - deklaroi kryeministri.

Zoti Rama iu përgjigj edhe akuzave të opozitës se qeveria ka bërë një marrëveshje të fshehtë me FMN, larg syve të publikut. Ai tha se as qeveria as FMN nuk kanë bërë marrëveshje të fshehta, dhe se marrëveshja nuk parashikon taksa të reja, por po zbatohet bashkë më paketën e re fiskale. Marrëveshja me FMN, sipas autoriteteve, i jep fund krizës dhe anarkisë financiare, dhe rikthen ritmet e rritjes me më shumë të ardhura. Megjithatë parashikimet për rritjen ekonomike gjatë këtij viti janë minimale, ndërsa bashkëpunimi me FMN pritet të sjellë ndryshime strukturore në financa, dogana dhe tatime.

XS
SM
MD
LG