Lidhje

Forcohen ndëshkimet për avokatët që zgjatin gjyqet


Ligji i ri kërkon që t’u hiqet licensa avokatëve që zvarritin proceset gjyqësore me mungesa të shumta, të qëllimshme dhe të paargumentuara.

Komisioni parlamentar i ligjeve nuk arriti sot të shqyrtonte projekt-ligjin mbi Gjykatën e Lartë, i cili prej disa kohësh pret të miratohet me mirëkuptim mes pozitës dhe opozitës. Shkak për shtyrjen e pikës kryesore të rendit të ditës u bë mungesa e anëtarëve socialistë të komisionit. Partia Socialiste e opozitës nuk ka dhënë ende ndonjë shpjegim për këtë mungesë të deputetëve të saj në komision, por burime nga kjo parti thanë se mungesat janë rastësore, dhe nuk lidhen me ndonjë qëndrim ndaj projekt-ligjit mbi Gjykatën e Lartë dhe as me ndonjë bojkot.


Në pamundësi për të diskutuar projekt-ligjin mbi Gjykatën e Lartë, komisioni parlamentar, së bashku me Dhomën e Avokatisë, shqyrtoi dhe miratoi disa ndryshime në ligjin për avokatinë, që synojnë të përmirësojnë proceset gjyqësore. Ministri i drejtësisë Eduard Halimi, tha se, krahas ndëshkimeve që marrin nga gjykata dhe Dhoma e Avokatisë, “një nga ndryshimet e rëndësishme në ligj kërkon që t’u hiqet licensa profesionale atyre avokatëve që zvarritin proceset gjyqësore me mungesat e tyre të shumta, të qëllimshme dhe të paargumentuara”. Është fjala për një numër avokatësh që i përdorin mungesat si një manovër për të shtyrë dhe dështuar proceset gjyqësore në favor të klientëve të tyre.

Një tjetër reformë për të rritur profesionalizmin në drejtësi është hapja e një shkolle nga do të kalojnë gjithë kandidatët për avokatë, para se të marrin licensën e punës. Kjo masë është e njëjtë me atë për gjyqtarët dhe noterët. Këto licenca nuk do të merren më me një provim si deri tani, por do të kalojnë një seri leksionesh, kontrollesh dhe komisionesh nga dhoma e avokatëve dh ministria. ndërsa përfaqësuesi i dhomës së avokatëve Maksim Haxhia tha se “projekt-ligji u hartua në bashkëpunim me qeverinë dhe synon të përmirësojë punën profesionale dhe sjelljen etike të avokatëve, për të cilat po zbatohen dy programe pilotë me USAID”.

Sipas ligjit të ri, avokatët po ashtu do të garantojnë me pagesa në kompanitë e sigurimeve se nuk do të dëmtojnë klientët e tyre. Kompanitë e sigurimeve do të mbulojnë më pas çdo dëmtim të vërtetuar që avokatët u shkaktojnë klientëve të tyre.

Projektligji për avokatinë është hartuar me ekspertë europianë dhe përfshihet në pikën 7 të planit të integrimit në BE, tashmë i përmbushur. Nga gjithë rekomandimet mbi drejtësinë ka mbetur pa plotësuar vetëm ligji për Gjykatën e Lartë, që u shty sot prej mungesës së deputetëve socialistë.
.
XS
SM
MD
LG