Lidhje

Kukan: Dhuna në zgjedhje është e papranueshme.


“Jemi shumë të shqetësuar për incidentin tragjik në Laç dhe dhuna duhet të ketë një përgjigje të sigurtë dhe të vendosur" - tha zoti Kukan.

Kryetari i delegacionit të Parlamentit Europian për Evropën Juglindore, Eduard Kukan deklaroi në Tiranë pas takimeve me drejtuesit e opozitës Edi Rama dhe Ilir Meta se “dhuna në zgjedhje është e papranueshme, por duhet hetuar dhe nuk duhen nxjerrë konkluzione paraprake”.

Zoti Kukan iu referua ngjarjes së Laçit, ku humbi jetën një mbështetës i opozitës dhe i LSI-së dhe 3 persona të tjerë u plagosën pranë një shkolle me disa qendra votimi. Ai tha se Shqipëria duhet të zhvillojë zgjedhje “në përputhje me standardet ndërkombëtare, përsa i përket votimit, numërimit si dhe njohjes së rezultateve” dhe të lëvizë drejt integrimit.

“Jemi shumë të shqetësuar për incidentin tragjik në Laç dhe në çdo rast dhuna duhet të ketë një përgjigje të sigurtë dhe të vendosur për të mos u përsëritur. Ne shpresojmë që ky incident tragjik, me vdekjen e një qytetari, të jetë një rast i izoluar dhe që autoritetet përkatëse të bëjnë ç'është e mundur që të zbardhet sa më shpejt ky rast në mënyrë objektive” - tha zoti Kukan.

Zoti Kukan shprehu besimin që edhe periudha pas zgjedhjeve të jenë ditë ku forcat politike të bashkëpunojnë për të mirën e zhvillimit të vendit. “Zgjedhjet në pjesën e mbetur dhe i gjithë procesi, besojmë të mbyllen në mënyrën më të mirë të mundshme” - tha zoti Kukan. Ai tha se është një grup i madh vëzhguesish ndërkombëtarë, kanë ardhur të vëzhgojnë çdo detaj dhe pjesë të procesit të zgjedhjeve në mënyrë sa më objektive në të gjithë vendin.

XS
SM
MD
LG