Lidhje

Egjipt, institucionet financiare dy ditë të mbyllura


Kryeministri egjiptian Ahmed Shafik
Kryeministri egjiptian Ahmed Shafik

Banka Qendrore e Egjiptit tha se institucionet financiare do të qëndojnë të mbyllura sot dhe nesër në të gjithë vendin për shkak të grevave dhe të një feste fetare.

Punonjësit e bankave në grevë i detyruan zyrtarët ta bëjnë ditën e sotme ditë pushimi ndërkohë që për nesër është caktuar një festë publike.

Një burim ushtarak njoftoi se ushtria është e gatshme të ndalojë takimet e sindikatave dhe të paralajmërojë se do të marrë masa kundër kaosit dhe rrëmujës.

Dje, Këshilli Suprem i Forcave të Armatosura shpërndau parlamentin dhe pezulloi Kushtetutën, duke iu përgjigjur dy kërkesave të kyçe të demonstruesve.

"Shqetësimi ynë në kabinet tani është siguria, rikthimi i sigurisë për qytetarët e Egjiptit," tha kryeministri Ahmet Shafik.

Udhëheqja ushtarake që mori kontrollin pas dorëheqjes së ish-Presidentit Hosni Mubarak të premten, bëri një deklaratë ku thotë se do të qeverisë përkohësisht për gjashtë muaj ose deri sa të bëhen zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, të cilat janë caktuar për në shtator.

Deklarata, e cila e vë Egjiptin nën autoritetin ushtarak të drejtpërdrejtë, u përshëndet nga shumë udhëheqës të opozitës, si masë që ofron një sërë hapash konkrete drejt vendosjes së autoritetit civil.

"Ne njoftojnë sot gatishmërinë tonë të plotë për dialog me Këshillin Suprem të Forcave të Armatosura. Nuk janë negociata por një dialog për të arritur rezultatin më të mirë të mundshëm”, tha Ayman Nour, udhëheqës i partisë Al-Ghad.

Drejtuesit e grupeve rinore që vunë në lëvizje revolucionin, thanë se deklarata ishte përgjithësisht pozitive. Sipas agjencisë Associated Press, disa përfaqësues të rinjsh, duke përfshirë ekzekutivin e firmës Google, Wael Ghonim, u takuan dje me këshillinj ushtarak.

XS
SM
MD
LG